
Raporti i Inteligjencës hedh dyshime mbi sulmin amerikan ndaj Iranit. Trump: Tri centralet bërthamore u shkatërruan
Pas dyshimeve të ngritura nga raporti i Inteligjencës mbi sulmin amerikan ndaj bazave bërthamore në Iran, ka reaguar Presidenti Donald Trump.
Ky i fundit, në një prononcim për gazetarët deklaroi se të tri centralet bërthamore në Iran u goditën “në mënyrë perfektë” dhe u shkatërruan.
Ai shtoi gjithashtu se raportet e mediave amerikane janë “shumë të pahijshme” ndaj atyre që kryen sulmet.
Më herët ai sulmoi në rrjetet sociale mediat amerikane të cilat sipas tij u përpoqën të poshtëronin një nga sulmet ushtarake më të suksesshme në histori.
Një ditë më parë inteligjenca e Pentagonit hodhi dyshime mbi pretendimet e administratës se programi bërthamor në Iran ishte “zhdukur”.
SHBA-të goditën tre objekte bërthamore në Iran – Fordo, Natanz dhe Isfahan – me bomba “shkatërruese bunkerësh” të afta të depërtonin 18 metra (60 këmbë) beton ose 61 metra (200 këmbë) tokë përpara se të shpërthenin.
Por burime të njohura me vlerësimin thonë se centrifugat e Iranit janë kryesisht “të paprekura” dhe ndikimi ishte i kufizuar në strukturat mbi tokë.
Hyrjet në dy objekte bërthamore u mbyllën dhe një pjesë e infrastrukturës u shkatërrua ose u dëmtua, por shumica e objekteve, të cilat janë thellë nën tokë, mbetën të paprekura.
Burimet anonime i thanë medias amerikane se vlerësohet se sulmi e ka shtyrë Iranin vetëm “disa muaj prapa, për shembull” dhe se çdo rifillim i programit të tij bërthamor mund të bazohet në kohën që i duhet vendit për të gërmuar dhe për të bërë riparime.
Burimet gjithashtu konfirmuan për CBS se një pjesë e rezervave të uraniumit të pasuruar të Iranit ishte zhvendosur para sulmeve, sipas vlerësimit të inteligjencës.
Ndërkaq, edhe njëkongresmen amerikan vuri në pikëpyetje përdorimin e “termave të paqarta” nga administrata Trump për të shpallur fitoren ndaj programit bërthamor të Iranit.
Në një intervistë me BBC-në, demokrati Brad Sherman, ths se Irani ende ruan rezervat e tij, të cilat do të ishin afërsisht “të mjaftueshme për nëntë armë bërthamore”.
Ai shton se asgjë nga Shtëpia e Bardhë nuk sugjeron që SHBA-të kanë eliminuar centrifugat që janë jetësore për pasurimin e uraniumit. /rtsh/