
U bombarduan nga SHBA, iranianët takim urgjent me Putinin
Ministri i Jashtëm i Iranit, Seyed Abbas Araghchi, tha se do të udhëtojë drejt Moskës të dielën për t’u takuar me presidentin rus Vladimir Putin, shkruan A2 CNN.
Sipas agjencisë Reuters, Araghchi deklaroi se synon të zhvillojë takimin me Putinin ditën e hënë.
Ai akuzoi SHBA-në se nuk ka asnjë respekt për të drejtën ndërkombëtare dhe se ka kaluar një “vijë të kuqe shumë të madhe” duke sulmuar objektet bërthamore të Iranit. “Ata kuptojnë vetëm gjuhën e kërcënimit dhe forcës”, u shpreh Araghchi.
Deklaratat e tij vijnë ndërkohë që Kremlini ka bërë të ditur se nuk ka plane për një bisedë mes presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit amerikan Donald Trump pas sulmeve.
Duke folur gjatë një vizite në Turqi, Araghchi tha se Teherani i mban të hapura të gjitha opsionet për të mbrojtur “sigurinë, interesat dhe popullin” e vet. Ai shtoi se forcat e armatosura të Iranit janë në gjendje të plotë gatishmërie.
“Prisni përgjigjen tonë më parë. Kur të përfundojë agresioni, atëherë mund të vendosim”, tha ai.