KEK-u: Operimi i termocentraleve vazhdon normalisht, s`ka kolaps në prodhim

KEK-u: Operimi i termocentraleve vazhdon normalisht, s`ka kolaps në prodhim

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) ka bërë të ditur se operimi i njësive prodhuese të energjisë elektrike po vazhdon normalisht dhe nuk ka asnjë kolaps në prodhim.

Në një njoftim për opinion, KEK ka sqaruar situatën aktuale me termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”, duke theksuar përkushtimin maksimal të ekipeve teknike për menaxhimin e defekteve të papritura.

Sipas KEK-ut, njësia A3 tashmë është rikthyer në funksion dhe po operon normalisht. Ndërkohë, rikthimi i njësisë B1 parashihet të ndodhë brenda 48 orëve, ndërkohë që po punohet maksimalisht për rikthimin në operim edhe të njësive të tjera të Termocentralit “Kosova A” në ditët në vijim.

“Njësitë e Termocentralit ‘Kosova A’ dhe ‘Kosova B’ janë të stërvjetruara dhe përballen me defekte teknike të paparashikueshme, por ekipet tona janë në gatishmëri të plotë dhe reagojnë me profesionalizëm dhe përkushtim të menjëhershëm për çdo situatë”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.

Edhe pse dje nuk është bërë nominimi për furnizim me energji, kjo sipas KEK-ut është pasojë e pasigurisë së lartë teknike dhe kushteve që e bënin rikthimin e njësisë A3 pothuajse të pamundur.

“Falë ndërhyrjes së menjëhershme dhe të pandërprerë të stafit teknik, kjo njësia është rikthyer sot në operim dhe është në prodhim të rregullt. Njësia B1 nuk është nominuar për shkak të vështirësive teknike që lidhen me rritjen e humbjeve të ujit në kaldajë, rrjedhjet e avullit në sistemin e gypave dhe sinjalizimin e një defekti në filtrin elektrik. Pavarësisht përpjekjeve maksimale për ta mbajtur në operim, ndalja e saj është planifikuar të ndodhë në orët e para të mëngjesit të 21.06.2025, me qëllim të evitimit të ndonjë avarie më të madhe apo të paparashikueshme që mund të cenonte sigurinë teknike të njësisë dhe sistemit në tërësi”, thuhet tutje në njoftimin e KEK-ut.

Tutje bëhet e ditur se KEK-u është duke angazhuar të gjitha kapacitetet për sanimin e situatës dhe rikthimin e njësisë B1 në operim brenda afatit të parashikuar prej 48 orësh, në varësi të shkallës së dëmtimeve të gypave që duhet të zëvendësohen në kaldajë.

“KEK mbetet e përkushtuar ndaj misionit për të siguruar furnizim të qëndrueshëm me energji për vendin dhe do të vazhdojë të informojë me transparencë për çdo zhvillim relevant në operimin e njësive prodhuese”, thuhet tutje në njoftim.

Ky reagim i KEK-ut vjen pak orë pasi KESCO paralajmëroi se nga nesër e ditëve në vijim pritet që të nisë një mungesë e theksuar e prodhimit vendor të energjisë elektrike, duke u kërkuar qytetarëve kursim të shfrytëzimit të energjisë elektrike.

Share This