
Kupchan: Pas dështimeve globale, Trump mund t’u kthehet Kosovës dhe Serbisë
Charles Kupchan, nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë në SHBA, thotë se deklarata e fundit e presidentit amerikan, Donald Trump, për Kosovën dhe Serbinë, duhet parë në kontekstin e një lideri që po përpiqet ta rikthejë vëmendjen e opinionit publik mbi rolin e tij si “negociator i shkëlqyer”.
Sipas tij, premtimet e Trumpit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe konfliktit në Lindjen e Mesme, nuk janë pasqyruar në realitet, pasi luftërat vazhdojnë me intensitet dhe aktorët kryesorë nuk tregojnë shenja gatishmërie për kompromis.
“Thënë kjo, meqë nuk po arrin shumë rezultate në Lindjen e Mesme dhe në diplomacinë me Ukrainën dhe Rusinë, ai mund ta kthejë vëmendjen nga Kosova dhe Serbia dhe të përpiqet të arrijë ndonjë fitore”, thotë Kupchan në intervistën dhënë Radio Evropa e Lirë.
Kupchan, ish-drejtor i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, thotë po ashtu se kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, “mund ta ketë tepruar me përdorimin e kartës nacionaliste”.
Ai i sugjeron një qasje më pragmatike, që, siç thotë, do ta ndihmonte Kosovën t’i avanconte interesat e saj.
Presidenti Trump tha së voni se ai ka ndaluar një luftë mes Kosovës dhe Serbisë gjatë mandatit të parë presidencial dhe ka premtuar se “do ta rregullojë këtë sërish”. Sipas jush, sa e saktë është kjo deklaratë dhe çfarë ndikimi kishin përpjekjet diplomatike të SHBA-së në vitin 2020 në terren?
Mendoj se postimin e Trumpit duhet parë në kontekstin e një presidenti që ndien se pretendimet e tij se është negociator i shkëlqyer, po vihen në dyshim.
Ai ka thënë se do t’i japë fund luftës në Ukrainë për 24 orë dhe se do ta ndalë luftën në Lindjen e Mesme, ndërkohë që lufta në Ukrainë vazhdon me intensitet, [presidenti rus, Vladimir] Putin nuk jep asnjë shenjë se është i gatshëm të negociojë me mirëbesim, ndërsa Izraeli jo vetëm që vazhdon luftën kundër Hamasit në Gazë, por ka hapur edhe një front të ri me Iranin.
Ndaj, mendoj se Trump po përpiqej të rikujtonte opinionin publik për arritjet e tij të mëparshme. Por, edhe në këtë rast, ku përmendi Kosovën dhe Serbinë, ai, kryesisht, i ngatërroi faktet, sepse Kosova dhe Serbia nuk ishin në luftë – ato nuk ishin në luftë që nga viti 1999.
A pati sukses administrata Trump, me [të dërguarin për dialogun Kosovë-Serbi, Richard] Grenell, në avancimin e një marrëveshjeje për bashkëpunim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë? Po. A arritën ata të ndërmjetësojnë një marrëveshje që Kosova të krijojë marrëdhënie diplomatike me Izraelin? Po.
Këto nuk janë të parëndësishme. Por, ideja se Trump – në njëfarë mënyre – ka shmangur ose i ka dhënë fund luftës, është thjesht e pasaktë.
Marrë parasysh atë që sapo thatë edhe ju – se Trump, deri më tani, nuk ka arritur ndonjë sukses në zgjidhjen e konfliktit Rusi-Ukrainë dhe tani përballet edhe me tensione midis Izraelit dhe Iranit – a shihni ndonjë mundësi që ai të kthehet te procesi Kosovë-Serbi, si një fushë më e menaxhueshme e politikës së jashtme?
Po, mendoj se kjo nuk përjashtohet fare. Trump, tani, ka shumë punë. Ka luftën e madhe në Ukrainë, luftën e madhe në Lindjen e Mesme, ka 17 apo 18 palë negociata të ndryshme për tarifa dhe tregti që vazhdojnë, dhe situata e tij politike brenda vendit është e ndërlikuar, veçanërisht për çështjet e imigracionit dhe dëbimeve.
Kemi parë, po ashtu, dhunë në rrugët e Los Anxhelosit dhe sulme ndaj ligjvënësve në Minesotë. Ndaj, nuk mendoj se Trump apo ekipi i tij kanë shumë kapacitete tani për çështje të tjera.
Thënë kjo, meqë nuk po arrin shumë rezultate në Lindjen e Mesme dhe në diplomacinë me Ukrainën dhe Rusinë, ai mund ta kthejë vëmendjen nga Kosova dhe Serbia dhe të përpiqet të arrijë ndonjë fitore.
A është momenti i duhur për këtë? Me gjasë jo. Sepse situata politike është e paqëndrueshme si në Beograd, ashtu edhe në Prishtinë.
Tani për tani, askush nuk është në pozicion për të bërë kompromise të vështira, por mendoj se në kohën e duhur, Trump mund të rikthehet për të negociuar një marrëveshje dhe për t’i nxitur Serbinë dhe Kosovën që të ecin përpara me marrëveshjen që ndërmjetësoi Bashkimi Evropian.
Si do të dukej riangazhimi i tij në mosmarrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë?
Riangazhimi [do të pasqyrohej] me emërimin e Richard Grenellit apo ndonjë përfaqësuesi tjetër special, i cili ose e cila do t’i shpërvilte mëngët dhe do të shkonte në rajon, do të takohej me udhëheqësit atje dhe do të përpiqej t’i shtynte të dyja vendet në drejtim të zbatimit të Marrëveshjes [drejt normalizimit të marrëdhënieve].
Viteve të fundit, zbatimi ka ngecur thuajse plotësisht. Për këtë arsye, mendoj se do të nevojitet një angazhim i ri nga SHBA-ja dhe presion i ri nga SHBA-ja, në bashkëpunim me BE-në, për të rifilluar dialogun./REL/