
Trump: Ne dinim gjithçka në lidhje me sulmet e Izraelit ndaj Iranit
Presidenti amerikan, Donald Trump tha sot se ai dhe ekipi i tij dinin gjithçka rreth planit të Izraelit për të sulmuar Iranin dhe se e kishte paralajmëruar Teheranin se duhej të bënte një marrëveshje për programin e tij bërthamor.
“Ne dinim gjithçka dhe unë u përpoqa ta shpëtoja Iranin nga poshtërimi dhe vdekja. U përpoqa t’i shpëtoja sepse do të doja shumë të ishte arritur një marrëveshje”, tha Trump për “Reuters”.
“Ata ende mund të arrijnë një marrëveshje, megjithatë, nuk është shumë vonë”, shtoi ai.
Trump e kishte nxitur vazhdimisht kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të vononte sulmin izraelit – për t’i dhënë diplomacisë më shumë kohë – megjithëse vetë presidenti amerikan kishte kërcënuar se do të bombardonte Iranin nëse bisedimet bërthamore dështonin.
Trump tha se u kishte dhënë iranianëve 60 ditë kohë për të arritur një marrëveshje dhe se sot ishte dita e 61.
Irani ka refuzuar këmbënguljen e SHBA-së për të hequr dorë nga pasurimi i uraniumit.
“Ne dinim pothuajse gjithçka. Ne dinim mjaftueshëm sa i dhamë Iranit 60 ditë për të bërë një marrëveshje dhe sot është dita e 61. Pra, ne dinim gjithçka”, tha presidenti Trump.
Trump tha se nuk ishte e qartë nëse Irani kishte ende një program bërthamor pas sulmeve izraelite.
“Askush nuk e di. Ishte një goditje shkatërruese”, tha Trump.
Izraeli tha se kishte shënjestruar objektet bërthamore të Iranit, fabrikat e raketave balistike dhe komandantët ushtarakë – në fillim të asaj që paralajmëroi se do të ishte një operacion ushtarak për të parandaluar Teheranin të ndërtonte armë bërthamore.
Trump tha se SHBA-ja ka planifikuar bisedime bërthamore me Iranin të dielën, por nuk ishte i sigurt nëse ato do të zhvilloheshin. Ai tha se nuk ishte shumë vonë që Irani të bënte një marrëveshje.
I dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff ka planifikuar të takohet me delegacionin iranian të dielën në Oman, por sulmet izraelite kanë ngritur dyshime në lidhje me zhvillimin e takimit.
“Ne kemi një takim me ta të dielën. Tani, nuk jam i sigurt nëse ai takim do të zhvillohet, por ne kemi një takim me ta të dielën”, tha Trump.
Presidenti Trump tha se nuk ishte i shqetësuar për një luftë rajonale që mund të shpërthente si rezultat i sulmeve të Izraelit. /atsh/