
PDK dhe VV mohojnë se takimi mes Hamzës dhe Kurtit kishte të bënte me ngërçin institucional
Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë mohuar se gjatë takimit të sotëm mes deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, është diskutuar për ngërçin politik në nivelin qendror, përkatësisht dështimin e 29-të për ta konstituuar Kuvendin.
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, tha se në takim nuk është diskutuar fare çështja e koalicioneve.
“Takimi ka ardhur si rezultat i kërkesës së zotit Kurti, dërguar kryetarit të Mitrovicës, zotëri Bedri Hamza. Është në traditën e shqiptarit që mysafirët t’i presë, jo t’i dëbojë,” u shpreh Çitaku në “DPT me Fidanin”, në Klan Kosova.
“Po e them sinqerisht dhe dua të heq çfarëdo lloj mëdyshjeje: në atë takim nuk është diskutuar fare as për koalicione, as për problemet dhe sfidat e mëdha që i kemi në nivel qendror në konstituimin e institucioneve,” shtoi ajo.
Sipas saj, ky takim kishte si qëllim bashkëpunimin mes nivelit qendror dhe atij lokal: “Ka pasur më shumë të bëjë me bashkëpunimin mes komunave dhe qeverisë qendrore.”
Edhe Zyra e Kryeministrit njoftoi se gjatë takimit, Kurti dhe Hamza diskutuan “rreth bashkëpunimit ndërmjet nivelit qendror edhe atij komunal” dhe “shtyrjen para të nismave e projekteve nga të cilat përfiton komuna dhe qytetarët”, por pa specifikuar konkretisht se për cilat projekte bëhet fjalë.
“Pas takimit me kryetarin Atiq, kryeministri u mirëprit nga kryetari i Komunës së Mitrovicës së jugut, Bedri Hamza, me të cilin diskutuan rreth bashkëpunimit ndërmjet nivelit qendror edhe atij komunal dhe shtyrjen para të nismave e projekteve nga të cilat përfiton komuna dhe qytetarët e saj”, njoftoi Zyra e Kryeministrit.
Vetë deputeti Kurti nuk dha detaje të reja, i cili, përmes një postimi në Facebook, tha se me Hamzën biseduan për “bashkëpunimin qeveri-komunë dhe rëndësinë e realizimit të projekteve të përbashkëta., përcjelle Nacionale.
“Në Mitrovicë të veriut dhe të jugut, me kryetarët Erden Atiq dhe Bedri Hamza, biseduam për bashkëpunimin qeveri-komunë dhe rëndësinë e realizimit të projekteve të përbashkëta. Këto dy komuna janë më pranë njëra-tjetrës se kurrë më parë, duke punuar tashmë për të fuqizuar gjithëpërfshirjen dhe mirëqenien qytetare.” – shkroi mes tjerash