
Sylvinho para ndeshjes me Serbinë: Jemi gati, zbresim në fushë për fitore
“Serbia është një skuadër e fortë, me lojtarë të fortë fizikisht, por edhe ne kemi lojtarët tanë, Brojën, Manajn, Uzunin, Bajramin…”.
Kështu e ka nisur konferencën për shtyp, trajneri i kuqezinjve, Silvinjo në prag të ndeshjes me Serbinë, që do të luhet të shtunën në “Air Albania” duke nisur nga ora 20:45.
“Është një skuadër e fortë, e dimë të gjithë. Ka lojtarë të fortë, por dhe ne kemi lojtarët tanë. Do të jetë një ndeshje e bukur. Të gjithë trajnerët e përgatisin një ndeshje për ta fituar. Janë 90 minuta dhe mund të ndodhë çdo gjë. Futemi në ndeshje për të marrë tri pikët”.
“Shumë trajnerë ankohen për situatën e lojtarëve në fund të sezonit. Gjatë ndeshjes me Andorrën kemi bërë disa ndryshime, kanë rezultuar mirë. E kam në mendje formacionin, do bëjmë dhe një stërvitje të fundit dhe do shikojmë. Nesër do e mësoni dhe formacionin”.
“Mendoja të sillja dhe babain tim nga Brazili për të ndjekur ndeshjen, por ishte një udhëtim shumë i gjatë. Të gjithë lojtarët janë gati, shpresoj të shijojmë një ndeshje shumë të bukur nesër”.