
Trump revoltohet nga sulmet e Ukrainës ndaj Rusisë, mediat amerikane: Mund të ndërpresë mbështetjen
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump është indinjuar nga vendimi i Ukrainës për të sulmuar bazat ajrore ruse.
Sulmi ka shkaktuar zemërim në Shtëpinë e Bardhë dhe ka nxitur një valë të re debati mbi vijueshmërinë e mbështetjes së mëtejshme për Kievin.
Sipas mediave amerikane, Trump ka shprehur pakënaqësi të thellë që Ukraina ndërmori një hap të tillë pa u koordinuar me Shtetet e Bashkuara.
Mediat amerikane shkruajnë se ka filluar një raund i ri diskutimesh nëse mbështetja e vazhdueshme ushtarake dhe financiare për Kievin është e justifikuar pas sulmit ukrainas.
Pakënaqësia personale e Trump me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky u ringjall edhe një herë – presidenti amerikan e ka quajtur atë një ‘kokëfortë’ i cili, sipas Trumpit, mund ta çojë botën drejt një Lufte të Tretë Botërore.
“Zelensky nuk e njoftoi presidentin e Shteteve të Bashkuara paraprakisht se do të ndërmarrë një sulm të thellë ndaj forcave strategjike të Rusisë, e cila po ngjitet në shkallën e përshkallëzimit sa më shpejt të jetë e mundur, një ditë para takimit tuaj në Turqi?”, tha ish-strategu i Trump, Steve Bannon.
Referuar mediave amerikane, Trump ka mbështetur pikëpamjen e kritikëve të krahut të djathtë këtë javë, duke akuzuar Zelenskyy-n se po konsideronte si sukses sulmet me dronë.
Sipas një prej këshilltarëve të Trumpit, presidenti u impresionua nga guximi i sulmeve, por beson se Zelensky duhet të ishte përqendruar në bisedimet midis Ukrainës dhe Rusisë në Stamboll.
Trump zbuloi detaje të bisedës së tij të fundit me udhëheqësin e Kremlinit, Vladimir Putin, duke përfshirë sugjerimin e tij që Ukrainës dhe Rusisë t’u lejohet “të luftojnë për një kohë”, sepse kjo do ta bënte më të lehtë përfundimin e luftës më vonë.
Më parë, Trump tha se po përmbahet nga vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë nëse beson se kjo mund të zhbëjë përpjekjet drejt një “marrëveshjeje”. /rtsh/