
BBC kundërshton Shtëpinë e Bardhë: Nuk kemi fshirë lajmin për incidentin në Gaza
Korporata britanike e transmetimeve BBC mbrojti të mërkurën raportimin e saj mbi një incident ku 31 palestinezë u vranë pranë një qendre ku shpërndaheshin ndihma në Rripin e Gazës, pasi Shtëpia e Bardhë e akuzoi transmetuesin se bazohej në deklaratat e Hamasit.
Agjencia e Mbrojtjes Civile e Gazës bëri me dije të dielën se 31 persona ishin vrarë nga ushtria izraelite pranë qendrës së ndihmave. Megjithatë, ushtria izraelite mohoi të kishte qëlluar ndaj civilëve dhe, së bashku me administratorin e qendrës së ndihmave, akuzoi Hamasin për përhapje të lajmeve të rreme.
Në lidhje me këtë incident, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, u shpreh të martën se BBC e kishte korrigjuar dhe më pas fshirë lajmin për incidentin.
“Jemi të vetëdijshëm për këto raportime dhe aktualisht po shqyrtojmë vërtetësinë e tyre, pasi, për fat të keq, ndryshe nga disa media, ne nuk e marrim për të mirëqenë fjalën e Hamasit. Ne i shqyrtojmë dhe i verifikojmë gjërat kur ata flasin – ndryshe nga BBC, e cila u detyrua të korrigjonte dhe të fshinte lajmin, dhe të pranonte se kishte parë pamjet, por nuk gjeti prova në to”, – tha Leavitt. Ajo citoi gjithashtu disa tituj lajmesh të BBC-së që sipas saj jepnin shifra të ndryshme viktimash për të njëjtën ngjarje.
Por BBC i cilësoi pretendimet e Shtëpisë së Bardhë si të pasakta, duke këmbëngulur se lajmi nuk ishte fshirë.
“Pretendimi se BBC fshiu një lajm pasi pa pamjet është plotësisht i gabuar,” – u shpreh transmetuesi në një deklaratë, duke sqaruar se përditësimi i lajmeve me të dhëna të reja është një praktikë krejtësisht normale në gazetari.
Për incidentin të cilit iu referua Leavitt, BBC bëri të ditur se në lajm kishte raportuar qartë se fillimisht numri i viktimave sipas mjekëve ishte 15, më pas sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza 31, dhe së fundi, sipas Kryqit të Kuq, 21.
BBC është përballur edhe më parë me kritika për mbulimin e konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit. Në muajin shkurt, transmetuesi kërkoi falje dhe pranoi gabime të rënda në dokumentarin me titull “Gaza: Si të mbijetosh në një zonë lufte”, pasi rezultoi se narratori 13-vjeçar ishte djali i një figure të lartë të Hamasit.