
Kreu i Fluminense: Tentova të afroja CR7 për Botërorin e Klubeve, por…
Presidenti i Fluminense, Mario Bittencourt, ka zbuluar se ka bërë përpjekje për të sjellë Cristiano Ronaldon në radhët e klubit brazilian për Kampionatin Botëror të Klubeve, që zhvillohet këtë muaj në SHBA.
“Nuk kam një marrëdhënie të afërt me Jorge Mendes, por kur e telefonoj, ai gjithmonë përgjigjet. Ai ka qenë agjenti i Cristiano Ronaldos për gjithë karrierën, edhe pse tani nuk është më. Gjithsesi, e kontaktova për të pyetur nëse ekzistonte ndonjë mundësi që Cristiano të luante me ne në Botërorin e Klubeve”, tha Bittencour.
“Ai ishte shumë i qartë me mua dhe më tha se për momentin nuk ka interesim nga ana e Ronaldo për të luajtur në futbollin brazilian. I thashë që Fluminense ka ngjyrat e flamurit portugez, që do të ishte një eksperiencë fantastike për të luajtur në Brazil, një ëndërr për tifozët tanë”.
“Nuk mund të them që kemi bërë një ofertë konkrete”, përfundoi Bittencour.
Cristiano Ronaldo, i cili aktualisht është pjesë e Al-Nassr, thuhet se është i gatshëm të firmosë për një klub që do të marrë pjesë në turneun prestigjioz që zhvillohet në SHBA.