
Krasniqi: I propozova dy data për zgjedhjet lokale,12 e 19 tetorin
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se datat të cilat do t’i preferonte PDK-ja për të shkuar në zgjedhje lokale do të ishin 12 dhe 19 tetor.
Ai tha se në takim te e para e shtetit nuk pati shumë dallime sa i përket datave. Ndërkaq ishte kritik ndaj mungesës së liderit të Vetëvendosjes aty.
“Duket se bojkotimin e presidentes e bënë vetëm Albin Kurti e Zllatan Elek, unë nuk po pretendoj që e ata e kanë bërë në marrëveshje, por vërtetë lente shije të keqe kjo mungesë”, tha Krasniqi, raporton rtk.
Sipas tij nuk pati shumë dallime në data nga të gjitha partitë që ishin prezentë në takim.
“Sa i përket PDK-së unë e njoftova presidenten se për ne të gjitha datat janë të pranueshme, por preferenca jonë do të ishte sa më herët. Dy data që i kam propozuar janë datat 12 e 19 tetor. Besoj që presidentja i ka marr parasysh. Nuk ka shumë dallime te pjesa e datave as nga partitë e mëdha parlamentare as nga ato minoritare e pres që në ditët në vijim të dekretohet edhe kjo datë që do të na mundësonte pastaj edhe afatet tjera për shpalljen e kandidaturave të kandidateve për kryetar në të gjitha komunat”, tha Krasniqi.
Ai foli edhe për bllokadën aktuale ku sot as pas tentimit të 26 nuk arriti të konstituohej Kuvendi i Kosovës.
“Sa i përket zgjedhjeve të përgjithshme , ne jemi në bllokadë institucionale dhe është pikërisht për shkak të kryeneçësisë dhe mentalitetit imponues e autoritar të LVV-së e konkretisht të propozimit të Haxhiut për kryetare të Kuvendit e cila siç kam thënë edhe në fillim, as nuk i ka as nuk do t’i ketë votat për t’u bërë kryetare e Kuvendit”, tha ai.
Për Krasniqin do të ishte e pamundur që të dyja palë zgjedhjet të mbaheshin në të njëjtën kohë, nëse vendi do t’i nënshtrohej një procesi tjetër të parakohshëm të zgjedhjeve nacionale.
“Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme brenda një procesi kushtetues edhe nëse nuk është zgjedhja e parë as e partive as e qytetarëve, mund të bëhet e domosdoshme. Qëndrimi im ka qenë i ditur, unë kam shkuar edhe një hap tutje, i kam pas propozuar edhe datat e mundshme. Unë nuk e shoh të mundshme që zgjedhjet të mbahen në të njëjtën datë sepse afatet kushtetuese janë kokëforta, nuk mund të interpretojmë kushtetutën jashtë afateve”, tha ai.