
Krasniqi pret Kallasin: Kërkon heqjen e masave ndaj Kosovës
Prishtinë, 22 maj-Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka pritur në takim Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Kaja Kallas, e cila po zhvillon vizitën e saj të parë zyrtare në Kosovë.
Në fokus të bisedës mes tyre ishin zhvillimet e fundit politike në vend, nevoja për stabilitet institucional dhe përparimi i Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian.
“Sonte, pata kënaqësinë ta takoj znj. Kaja Kallas gjatë vizitës së saj në Kosovë. Diskutuam për zhvillimet politike në vend dhe për nevojën për stabilitet institucional dhe përparim të Kosovës drejt integrimit evropian. Znj. Kallas e njoftova se PDK ka dhënë dhe mbetet gjithmonë e gatshme të japë kontributin e saj në zgjidhjen e krizës aktuale politike, si dhe në mbrojtjen e interesit qytetar dhe shtetëror”, shkroi Krasniqi në rrjetet sociale.
Ndër temat kryesore të diskutimit ishte edhe çështja e masave ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës. Krasniqi tha se i kërkoi Kallasit angazhim konkret për heqjen e këtyre masave.
“Në takim kërkova edhe angazhimin e saj për heqjen sa më të shpejtë të masave ndëshkuese ndaj Kosovës, si një shenjë konkrete për të ardhmen evropiane të vendit tonë dhe për avancimin e marrëdhënieve Kosovë – BE,” theksoi ai.
Kryetari i PDK-së ritheksoi përkushtimin e partisë së tij ndaj vlerave perëndimore dhe bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.
“PDK mbetet e përkushtuar ndaj vlerave perëndimore, bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe avancimit të pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Mirënjohës për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme të znj. Kallas për vendin tonë,” përfundoi Krasniqi. /Rekordi.net