
De Bruyne konfirmon largimin nga City: Jam në bisedime me disa klube
Pas përfundimit të kontratës me Manchester City, mesfushori belg Kevin De Bruyne ka konfirmuar se është në bisedime me klube të ndryshme për të vendosur të ardhmen e tij.
Ylli 33-vjeçar do të largohet nga kampionët anglezë në fund të muajit qershor.
Pas humbjes së Cityt në finalen e FA Cup ndaj Crystal Palace, De Bruyne foli për “Sky Sports”.
“Dua të luaj futboll të mirë, pavarësisht se cili do të jetë vendimi… E di që po përpiqeni të merrni me mend se ku do të shkoj, por do të marr vendimin tim dhe do ta mësoni kur ta marr edhe unë”, ka thënë De Bruyne.
Lidhur me mundësinë për të qëndruar në Premier League, belgu la gjithçka të hapur.
“Nuk e di nëse do të qëndroj në Premier League, kjo varet nga ajo që do të më ofrohet. Siç u thashë edhe bashkëlojtarëve të mi në kombëtare, kam një familje. Kam fëmijë të vegjël për të cilët duhet të kujdesem, kështu që është një vendim që duhet t’i përshtatet të gjithëve, jo vetëm mua”, theksoi De Bruyne.
“Kur je 20 vjeç dhe vetëm, vendimet janë më të lehta. Por tani është më komplekse.”
Në fund, De Bruyne u shpreh se vendimi do të merret në kohën e duhur.
“Sigurisht. Do të merrni një përgjigje sapo të jem gati. Derisa të di vetë, nuk mund t’ju them asgjë”, pohoi ai.