Sali Berisha paralajmëron: PD do të rrethojë edhe ambasadat – beteja për votën në çdo front

Sali Berisha paralajmëron: PD do të rrethojë edhe ambasadat – beteja për votën në çdo front

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se beteja e PD-së për mbrojtjen e votës do të zhvillohet në çdo front, përfshirë edhe një ofensivë ndaj ambasadave, të cilat ai i konsideron si pjesë të “heshtjes ndërkombëtare” ndaj asaj që e cilëson si manipulim të zgjedhjeve.

Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se PD po dokumenton prova për atë që e cilëson si krim zgjedhor, të cilat do t’i paraqiten faktorit ndërkombëtar.

“Ato janë që të gjitha rezultate të fabrikuara në mënyrën më të turpshme, më të paimagjinueshme. Por ato do të marrin ndëshkimin ndërkombëtar,” – u shpreh Berisha, transmeton Rekordi.net.

Ai shtoi se protestat dhe presioni qytetar nuk do të ndalen, duke paralajmëruar edhe rrethim të ambasadave në kryeqytetet e vendit, si shenjë kundërshtimi ndaj asaj që ai e quan shkelje e votës së lirë.

“Shpejt do të jetë dita, kur ambasadat e narkodiktatorit do të rrethohen në të gjitha kryeqytetet e vendit, nga populli që iu shkelmua vota,” – tha ai, duke e quajtur mandatin e Kryeministrit Rama “të bazuar në krim zgjedhor”.

Sipas Berishës, një nga rastet më flagrante është falsifikimi i votës së diasporës, veçanërisht në Greqi.

Ai theksoi se nuk ka ndërmend të tërhiqet, duke insistuar se Partia Demokratike nuk do të ndalet deri në mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

“Unë kam bindjen më të thellë se këtë mandat Rama nuk do ta gëzojë dhe do të përgjigjet deri në fund për këtë farsë të turpshme elektorale”, përfundoi Berisha. /Rekordi.net

Share This