Divizioni i Ushtrisë së SHBA-së do të vendoset në Aeroportin e Gjakovës

Divizioni i Ushtrisë së SHBA-së do të vendoset në Aeroportin e Gjakovës

Republika e Kosovës do të jetë ndër 18 vendet nikoqire të ushtrimit më të madh ushtarak që drejtohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku marrin pjesë 25 mijë ushtarë nga 29 vende të NATO-s.

Krejt kjo do të ndodhë në kuadër të ushtrimit “Defender Europe 2025”, që do të mbahet nga 26 maji deri më 6 qershor. Hollësitë i shpalos në një intervistë për RTK-në, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Malet e Babajt të Bokës do të ushtrohen sërish nga ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Krah trupave të ushtrisë së Republikës, do të jenë edhe pjesëtarë të ushtrive të Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Detaje për RTK-në jep ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

“Vendi ynë, duke qenë edhe vend nikoqir i këtij ushtrimi, por edhe pjesëmarrës me rreth 1 mijë trupa në lokacione të ndryshme në regjionin e Ballkanit Perëndimor, veçohet për faktin se këtë vit Kosova është përzgjedhur nga ushtria e SHBA-së si vend ku do të vendoset komanda e Divizionit të 28 të këmbësorisë së ushtrisë amerikane”, tha ai.

Maqedonci thotë se vendosja e këtij divizioni të ushtrisë së SHBA-së në aeroportin e Gjakovës është e një rëndësie të jashtëzakonshme për Kosovën dhe tregon për profesionalizimin e ushtrisë së Republikës.

“Ky divizion, që do të vendoset në aeroportin e Gjakovës, tani pronë e FSK-së, do të drejtojë të gjitha operacionet dhe ushtrimet që do të zhvillohen në Ballkan, përfshirë ato në Kroaci, Shqipëri, Maqedoni dhe Bullgari”, tha Maqedonci.

Sipas Maqedoncit, gjatë këtyre ushtrimeve, FSK do të zhvillojë operacione sulmuese, operacione mbrojtëse dhe operacione stabiliteti. Ai flet edhe për nënshkrimin e një marrëveshjeje kornizë në fushën e mbrojtjes, që pritet të ndodhë në qershor, ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së për periudhën 2025-2030.

“Ky marrëveshje lidhet me ndërveprueshmërinë mes ushtrisë sonë dhe SHBA-së, por edhe me industrinë e Mbrojtjes, ku përmes kësaj marrëveshjeje do të hapim mundësi për bashkinvestime dhe punë të përbashkët me SHBA-të në fushën e industrisë së mbrojtjes”, tha ai.

Ministri në detyrë theksoi se asnjë marrëveshje e Kosovës me asnjë vend nuk ka si qëllim kërcënimin e fqinjëve dhe aktorëve të tjerë, por ndërtimin e një fuqie të aftë për të mbrojtur territorin dhe jetën e qytetarëve të vendit.

Share This