Atletico planifikon verë të ‘nxehtë’, gati 100 milionë euro për blerje  

Atletico planifikon verë të ‘nxehtë’, gati 100 milionë euro për blerje  

Pas një sezoni zhgënjyes në të gjitha frontet, ku është eliminuar nga Liga e Kampionëve dhe ka dalë nga gara si për La Ligën ashtu edhe për Kupën e Mbretit, Atletico Madrid po përgatitet për një revolucion në skuadër me synimin për të forcuar skuadrën për sezonin e ardhshëm.

Sipas gazetës “Marca”, drejtuesit e klubit madrilen kanë vënë në shënjestër dy emra të mëdhenj, mesfushorin e talentuar të Villarrealit, Alex Baena (23 vjeç), dhe qendërmbrojtësin e Tottenham Hotspur, Cristian Romero (27 vjeç).

Atletico e sheh Baena-n si një talent të madh që do të përmirësonte ndjeshëm cilësinë në mesfushë. Për të ulur koston e transferimit të tij, klubi madrilen po konsideron përfshirjen e lojtarëve si Rodrigo Riquelme dhe Samu Lino në marrëveshje, të cilët pëlqehen nga Villarreal.

Në prapavijë, “Colchoneros” janë të gatshëm të investojnë për të siguruar shërbimet e Cristian Romero, një prej mbrojtësve më të vlerësuar aktualisht në Evropë. Argjentinasi shihet si lideri i ri i mbrojtjes madrilene, megjithëse Atletico do të përballet me konkurrencë të fortë për firmën e tij.

Për të realizuar këto dy transferime të mëdha, Atletico Madrid pritet të bëjë një investim që nuk do të jetë më pak se 100 milionë euro, duke e bërë këtë një prej operacioneve më ambicioze të klubit në vitet e fundit.

Me këtë strategji, madrilenët synojnë të rikthehen fuqishëm në elitën e futbollit evropian.

Share This