Mbyllet numërimi i votave në 12 qarqe, PS siguron 83 mandate, PD “tkurret”

Mbyllet numërimi i votave në 12 qarqe, PS siguron 83 mandate, PD “tkurret”

Ka përfunduar numërimi i votave në të 12 qarqet e vendit për partitë politike, ku Partia Socialiste, sipas të dhënave të reflektuara edhe në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kryeson thellë në numër mandatesh, duke siguruar 83 karrige në Parlament, ndërsa Partia Demokratike ka përjetuar një “tkurrje” në momentet e fundit.

Në dy qarqet më të mëdha në vend, PS-ja dhe Partia Mundësia i kanë marrë PD-së dy mandate, duke e lënë Koalicionin PD-ASHM me 50 mandate, ndërsa partia e Agron Shehajt është rritur me një mandat.

Por ky rezultat nuk është ende përfundimtar për sa kohë po vijohet me numërimin e votave të diasporës dhe votat preferenciale për kandidatët, të cilat do të jenë ato që do të ”vulosin përfundimisht” edhe numrin e mandateve.

Procesi i votave nga jashtë vendit vijon

Në vijim të përpunimit të rezultateve, KQZ njofton se procesi i numërimit dhe vlerësimit të votave të zgjedhësve nga jashtë vendit është ende në vijim. Deri më tani janë numëruar dhe vlerësuar 75.414 fletëvotime nga 194.889 gjithsej, që përbën rreth 39% të totalit të votave nga jashtë.

Procesi i numërimit për votat nga jashtë ka përfunduar për Qarkun Kukës, ndërsa përparon edhe vlerësimi i votave parapëlqyese në listën e hapur.

Ndërkohë, ka përfunduar numërimi dhe vlerësimi i votave për kandidatët me votim preferencial (të listës së hapur) në disa qarqe dhe zona të administrimit zgjedhor:

Qarku Shkodër: 2 KZAZ

Qarku Kukës: 2 KZAZ

Qarku Dibër: 2 KZAZ

Qarku Berat: 2 KZAZ

Qarku Korçë: 2 KZAZ

Qarku Gjirokastër: 7 KZAZ

Qarku Vlorë: 5 KZAZ

Qarku Tiranë: 2 KZAZ (PEVN)

Në total, procesi i numërimit dhe vlerësimit të votave për kandidatët ka filluar në 24 KZAZ. /rtsh/

Share This