PDK pranon ftesën e Kurtit për takim

PDK pranon ftesën e Kurtit për takim

Partia Demokratike e Kosovës ka konfirmuar se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së kryetarit të koalicionit Vetëvendosje-Guxo-Alternativa, Albin Kurti, për një takim para vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës që mbahet nesër.

Në një postim në Facebook, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës,  Memli Krasniqi, ka thënë se beson fuqishëm në nevojën urgjente për zhbllokim institucional dhe për rikthimin e funksionimit normal të Kuvendit, si dhe në përmbushjen e afateve kushtetuese që i hapin rrugë formimit të Qeverisë së re.

“E inkurajojmë z. Kurti që të reflektojë me përgjegjësi mbi situatën aktuale dhe të shfaqë vullnet të sinqertë për të mundësuar formimin e institucioneve të reja,” ka thënë Krasniqi, duke shtuar se gjetja e një kandidati ose kandidateje që gëzon mbështetjen e shumicës parlamentare do të ishte një hap i rëndësishëm përpara.

Krasniqi ka nënvizuar gjithashtu se për çështjen e nënkryetarëve të Kuvendit nuk ka vend për diskutim, pasi kjo është një e drejtë e garantuar nga Kushtetuta e Kosovës.

Ai po ashtu ka theksuar se PDK do të vazhdojë të angazhohet për të vepruar me përgjegjësi dhe seriozitet institucional, në përputhje me interesat shtetërore dhe qytetare.

Krasniqi bënë me dije se qëndrimet e plota të PDK-së do të bëhen publike gjatë dhe pas takimit të nesërm, përmes një konference për media.

Share This