Kurti: Njëherë Kuvendi, mandej Qeveria

Kurti: Njëherë Kuvendi, mandej Qeveria

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka theksuar se hapi i parë institucional duhet të jetë konstituimi i Kuvendit të Kosovës, e vetëm pas kësaj mund të diskutohet për formimin e qeverisë së re.

“Një herë Kuvendi, mandej qeveria”. Kështu u shpreh Kurti të mërkurën në Istog, kur u pyet nëse do të bëhet qeveria e re.

Një koment të tillë Kurti e bëri pas vendosjes së gurthemelit të projektit për banim të përballueshëm dhe social në komunën e Istogut.

Në këtë aktivitet morën pjesë edhe ministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, si dhe kryetari i komunës së Istogut, Ilir Ferati.

“Qysh në fillim të mandatit tonë e patëm miratuar agjendën qeveritare për banim të përballueshëm dhe social bazuar në tri parime themelore; Parimin e gjithëpërfshirjes, atë të mos-segregimit dhe atë të diversitetit. Banimi është e drejtë themelore e njeriut. Për jetesë nevojitet banesë”, ka thënë Kurti lidhur me këtë projekt.

Ai ka bërë të ditur se në janar të vitit 2024, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka hapur thirrjen për komunat për ndërtimin e njësive banesore për banim të përballueshëm dhe social. Sipas tij, 13 komuna kanë aplikuar dhe projektet janë bërë për 5 komuna, ndër të cilat edhe Istogu.

Kryeministria ka bërë të ditur se ky kompleks, që do të shtrihet në një sipërfaqe prej 9,120 m², do të ketë gjithsej 65 banesa, prej tyre 52 për banim të përballueshëm dhe 13 për banim social. Kohëzgjatja e punimeve parashihet të jetë tri vjet, kurse vlera e projekt është 4.9 milionë euro. Kompleksi do të ketë katër tipe të banesave: Tipi A me 53 m² ; Tipi B me 66 m²; Tipi C me 77 m² dhe Tipi D me 87 m², raporton rtk.

Share This