
Rodrygo i gatshëm të largohet nga Reali, i zemëruar me Ancelottin
Rodrygo Goes raportohet se po e mendon seriozisht largimin nga Real Madrid këtë verë, pas tensioneve të fundit me trajnerin Carlo Ancelotti.
Sipas analistit të njohur Eduardo Inda në emisionin ‘El Chiringuito’, braziliani dhe stafi i tij janë të tërbuar pas zëvendësimit të tij gjatë finales së Kupës së Mbretit ndaj Barcelonës, ku madrilenët u mposhtën në “La Cartuja”.
“Rodrygo është shumë i zemëruar pas asaj që ndodhi në ‘La Cartuja’ dhe nuk e përjashton mundësinë të largohet nga Real Madrid gjatë kësaj verë,” deklaroi Inda.
“Duhet kujtuar flirtimin që ka pasur me Manchester Cityn dhe Guardiolën. Ai nuk e kupton pse u veçua nga trajneri në finale, kur mendoj se pjesa e parë ishte e dobët për të gjithë skuadrën”, ka theksuar ai.
Rodrygo ka realizuar 13 gola këtë sezon të garave. Kontrata aktuale e Rodrygo-s me Real Madrid është e vlefshme deri në vitin 2028, por siç raportohet, nëse tensionet me stafin teknik vazhdojnë, atëherë një transferim i bujshëm i lojtarit në Premier League, me Manchester Cityn në krye të garës, mund të bëhet realitet.