
Ferizaji triumfon ndaj Dritës, Prishtina dhe Llapi ndajnë pikët
Ferizaji ka marrë një fitore tejet të rëndësishme në kuadër të javës së 31-të të Superligës së Kosovës, duke mposhtur Dritën para tifozëve të vet me rezultat 2-1. Ndërkohë, ndeshja tjetër e ditës ndërmjet Llapit dhe Prishtinës përfundoi pa fitues.
Antonio Ilieski e ka zhbllokuar rezultatin në minutën e 48-të, duke kaluar Ferizajn në epërsi. Drita ia ka arritiur ta barazojë në minutën e 80-të me golin e Veton Tushës, por gëzimi i mysafirëve ka zgjatur vetëm një minutë, pasi Fatjon Isufi ka shënuar menjëherë dhe e ka vulosur fitoren për vendasit.
Në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, dy skuadrat që po luftojnë për mbijetesë, Prishtina dhe Llapi, kanë barazuar 1-1. Llapi ka kaluar i pari në avantazh me golin nga penalltia të Ardit Tahirit në minutën e 17-të, ndërsa Leotrim Kryeziu i Prishtinës i ka barazuar shifrat në minutën e 70-të.
Pas ndeshjeve të sotme, Ferizaji ngjitet në vendin e katërt me 45 pikë, vetëm dy më pak se Malisheva, duke mbajtur gjallë ëndrrën për daljen në Evropë. Drita, pavarësisht humbjes, mbetet në krye të tabelës me 66 pikë, nëntë më shumë se ndjekësi më i afërt, Ballkani. Llapi dhe Prishtina kanë nga 40 pikë, duke u renditur në pozitat e gjashtë dhe të shtatë në tabelë.