Murati: Qëndrimi i opozitës po e çon Kuvendin drejt bllokadës totale

Murati: Qëndrimi i opozitës po e çon Kuvendin drejt bllokadës totale

Deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka reaguar përmes një postimi në rrjete sociale lidhur me situatën aktuale në Kuvendin e Kosovës dhe pamundësinë për ta zgjedhur kryetarin e këtij institucioni.

Ai fajëson opozitën për bllokimin e procesit dhe thekson se partia fituese, në këtë rast LVV, ka përmbushur obligimin kushtetues duke propozuar kandidaten për kryetare të Kuvendit.

“Posti i Kryetarit të Kuvendit i takon partisë fituese, kështu e thotë Kushtetuta, dhe këtë e ka sqaruar qartë edhe Gjykata Kushtetuese, e cila thekson se të gjithë deputetët kanë për obligim të votojnë,” ka shkruar Murati.

Ai shton se Kushtetuta e Kosovës kërkon që për postin e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit të zgjidhen vetëm deputetë të zgjedhur dhe thekson se secili prej tyre konsiderohet i denjë për të mbajtur një funksion të tillë. Por, sipas tij, është ekskluzivisht në diskrecionin e partisë fituese të propozojë emrin për kryetar Kuvendi, ashtu siç u takon tri partive më të mëdha të bëjnë propozimet për nënkryetarë.

“Pra, ngjashëm sikurse nuk na takon neve të vlerësojmë se kë e propozojnë PDK e LDK për pozitën e Nënkryetarit, për aq sa e plotësojnë kushtin të jenë deputetë të zgjedhur, e njëjta vlen edhe për postin e Kryetarit të Kuvendit – e drejta ekskluzive e propozimit i takon LVV-së si parti fituese, dhe përderisa plotësohet kushti i të qenit deputet i zgjedhur, të gjithë deputetët e Kuvendit duhet ta votojnë, në pajtim me interpretimin e Gjykatës Kushtetuese.Po të mos propozonte fare Lëvizja Vetëvendosje emër për pozitën e Kryeparlamentarit, do të mund të quhej bllokuese e procesit” thekson deputeti i LVV-së, raporton rtk.

Ai gjithashtu paralajmëron se, nëse vazhdohet me interpretimin që barra për sigurimin e 61 votave bie vetëm mbi partinë fituese, atëherë edhe opozita do ta ketë të pamundur të zgjedhë nënkryetarët e saj, pasi nuk do t’i ketë numrat e nevojshëm.

“Sepse nëse barra e sigurimit të 61 votave i bie secilës parti, e jo të gjithë deputetëve siç e kërkon Kushtetuta, atëherë në momentin kur partia fituese i ka 61 vota për postin e kryetarit, kjo nënkupton që partitë opozitare mbesin me vetëm 59 vota apo më pak, dhe me të njëjtën logjikë nuk do të arrijnë kurrë që të zgjedhin nënkryetarët e Kuvendit. Pra, interpretimi dhe qëndrimi i opozitës, pashmangshëm do ta çonte Kuvendin në një bllokadë tjetër, të patejkalueshme”, tha ai.

Tutje Murati ka thënë se si parti fituese janë të interesuar që të vazhdojnë tutje.

“Ftojmë edhe partitë opozitare që të lexojnë saktë rezultatin zgjedhor, e të respektojnë Kushtetutën, duke zhbllokuar procesin e konstituimit të Kuvendit”, ka përfunduar Murati.

Share This