Abdixhiku: Nuk ka kompromis me LV-në, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit kërkon shumicë

Abdixhiku: Nuk ka kompromis me LV-në, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit kërkon shumicë

Pas dështimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje duhet të kuptojë se për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit kërkohet kompromis dhe shumicë parlamentare.

“Lëvizja Vetëvendosje duhet të kuptojë që për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit duhet kompromis dhe shumicë, sepse kështu ka vendosur qytetari i Kosovës… Natyrisht se jo, në asnjë rrethanë LDK-ja nuk gjen kompromis me LVV-në”, tha Abdixhiku.

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar arritjen e një marrëveshjeje politike për të mundësuar zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Deputeti i zgjedhur dhe nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca, konfirmoi se partia e tij do të propozojë sërish deputeten Albulena Haxhiu për këtë post.

Megjithatë, pasi ajo nuk mori votat e nevojshme në seancën e kaluar, Konjufca tha se nuk do të kishte kuptim që kandidatura e saj të hidhet sërish në votim pa një marrëveshje të re politike.

Për shkak të mungesës së marrëveshjes dhe votave të mjaftueshme, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, vendosi ta ndërpresë seancën.

U bë e ditur se ajo do të vazhdojë të mërkurën, më 23 prill, në orën 10:00.

Share This