
Azdren Shala për Thaçin: “Më i madhi në historinë e Ballkanit – më gjeni një tjetër si ai”
Opinionisti Azdren Shala ka komentuar rikthimin e Hashim Thaçit në Kosovë, për një vizitë të babai i tij i sëmurë, që gjendet i shtrirë në QKUK.
Shala në emisionin Pressing në T7 thotë se në supet e Hashim Thaçit sot po peshon një nga padrejtësitë më të mëdha historike.
Deklarata e plotë e Azdren Shalës:
Sot e pashë një burrë mbi supet e të cilit po peshon një nga padrejtësitë më të mëdha historike. Pra, një politikan ose politikani më i suksesshëm në historinë e krejt Ballkanit për shekullin XX.
Unë qëllimisht sot hyra për të parë historinë e Ballkanit. Asnjë politikan nga viti 1900 deri më sot nuk i ka arritur ato suksese të mëdha që i ka arritur Hashim Thaçi. Edhe një politikan i tillë, me përmasa ballkanike, më i madhi në historinë e Ballkanit, të trajtohet si krimineli më ordiner i Ballkanit – kjo është padrejtësia më e madhe se vetë akuza që i bëhet Hashim Thaçit. Kjo, përndryshe, është një aktakuzë e ndërtuar mbi shpifje, mbi një raport që në fund ka rënë krejt poshtë. Megjithatë, aktakuza vazhdon!
Kjo është dashur të jetë alarm për shqiptarët, sidomos për qeverinë që na udhëheq. Një aktakuzë e Dick Martit, e cila u ngrit atë kohë, dhe për të cilën kemi pasur shqiptarë që janë gëzuar. Eksponentë të pushtetit, ish-këshilltarë të kryeministrit, që thoshin se Dick Marti është “Hero i Kosovës”. Sot vazhdon e njëjta retorikë, pavarësisht se aktakuza ka rënë.
I pashë disa reagime në Facebook nga militantë të Lëvizjes Vetëvendosje. Pra, akuza ka rënë, por ka mbetur narracioni. Tash kemi një aktakuzë krejt absurde, të ndërtuar mbi bazën e shpifjeve. Thaçi vazhdon të mbahet atje padrejtësisht.
Shpresoj që në fund të triumfojë drejtësia. Hashim Thaçi ka kaluar shumë beteja. Është njeriu i çlirimit, i pavarësisë, është njeriu i integrimeve. Gjatë kohës sa ka qenë kryeministër, ne i kemi pasur njohjet kryesore, apo të vetmet njohje të rëndësishme për Kosovën.
Jam i bindur se në fund do t’ia dalë kësaj beteje dhe do të kthehet në Kosovë si triumfuesi më i madh në historinë e Ballkanit. Unë insistoj se është politikani më i madh i krejt Ballkanit për shekullin XX. Më gjeni një tjetër që mund të krahasohet me të, qoftë edhe sa gjysma e Hashim Thaçit!