
Izraeli liron pesë të burgosur libanezë, pranon bisedimet me Libanin
Izraeli liroi pesë të burgosur libanezë pasi zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu njoftoi dje se Tel Avivi dhe Libani planifikojnë të zhvillojnë bisedime diplomatike për disa çështje kritike, duke përfshirë kufirin e tyre të diskutueshëm tokësor.
Si një gjest i vullnetit të mirë për presidentin e sapozgjedhur libanez, Joseph Aoun dhe në koordinim me SHBA-në, Izraeli kishte rënë dakord të lironte pesë të burgosurit libanezë.
Njoftimi erdhi pasi përfaqësues nga Izraeli, SHBA-ja, Franca dhe Libani u takuan dje në qytetin libanez, Naqoura.
“Gjithashtu, u ra dakord që të krijoheshin tre grupe të përbashkëta pune për të stabilizuar zonën dhe për t’u fokusuar në pesë pika strategjike libaneze nën kontrollin e Izraelit, çështje të diskutueshme duke përfshirë Linjën Blu dhe të burgosurit libanezë në paraburgimin izraelit”, tha zyra e Netanyahut.
E dërguara speciale e SHBA-së, Morgan Ortagus konfirmoi lirimin e të burgosurve në një postim në X, duke thënë se bisedimet ushtarake kishin përfunduar në Naqoura dhe më pas pesë të burgosur libanezë ishin liruan nga Izraeli.
Një armëpushim midis milicisë libaneze të Hezbollahut dhe Izraelit ka qenë në fuqi që nga nëntori.
Megjithatë, udhëheqja e Libanit e sheh praninë e vazhdueshme të trupave izraelite në pesë pikat e kontestuara si shkelje të marrëveshjes.
Tensionet midis dy vendeve janë ndezur vazhdimisht në të kaluarën, veçanërisht për shkak të mosmarrëveshjeve për kontrollin e disa zonave përgjatë kufirit të tyre të përbashkët.
Marrëveshja e armëpushimit thuhet se përfshin gjithashtu dispozita për negociatat në lidhje me kufirin e kontestuar libanezo-izraelit, i njohur gjithashtu si Linja Blu.