
Qindra të vrarë në Siri, presidenti bën thirrje për paqe në vend
Udhëheqësi sirian, Ahmed Sharaa, ka bërë thirrje për paqe në vend, pasi përleshjet sektare gjatë ditëve të kaluara lanë qindra të vdekur, kryesisht të pakicave, duke e sjellë kështu vendin në prag të luftës civile.
Pasi që qindra persona u vranë gjatë disa ditëve të përleshjeve sektare në pjesë të ndryshme të Sirisë, presidenti i vendit, Ahmed Sharaa, ka bërë thirrje për unitet kombëtar dhe ka deklaruar se të gjithë ata që sulmojnë civilët, pa marrë parasysh se cilit grupacion i takon, do të përballen me pasojat e veprimeve të veta.
Thirrjet e Shara-ut erdhën pas disa ditëve të përleshjeve, të cilat filluan të enjten, me sulme të befasishme të militantëve alawait, pakicës së të cilës i takon edhe ish-presidenti Assad, ndaj patrullave të forcave qeveritare të Sirisë. Sulmet nxitën reagime të forcave të qeverisë, të cilat shumë shpejt u akuzuan për masakra ndaj civilëve alawit dhe disa pakicave të tjera.
Sipas disa grupeve monitoruese, më shumë se 700 civilë alawit janë ekzekutuar nga ana e forcave qeveritare, ndërsa Damasku tha se gjatë përleshjeve janë vrarë rreth 200 ushtarë, si dhe rreth 150 luftëtarë pro-Assad-it. Shumë prej zyrtarëve në Damask thanë se përleshjet u nxitën nga Asadi, apo personat besnikë ndaj tij, të cilët po tentojnë të shtyjnë Sirinë në luftë qytetare në baza sektare, me qëllim krijimin e kushteve për rikthimin e Asadit në pushtet.
Njëkohësisht, shumë familje alawite kanë filluar të largohen nga shtëpitë e tyre në provincat Tartus dhe Latakia, ku Assad ende gëzon popullaritet të madh, për shkak të frikës nga dhuna, e cila po vazhdon të përhapet.
Qeveria e re në Damask po ballafaqohet me shumë probleme, përveç sulmeve izraelite dhe ndërhyrjeve turke. Damasku tani duhet të gjejë mënyrën për të ndaluar dhunën para se Siria të hyjë në një cikël luftërash, të cilat mund të zgjasin me vite dhe të shkatërrojnë tërësisht vendin, që sapo ka filluar të ripërtërihet pas më shumë se 10 vjet luftë civile. /rtk/