
BND: Rusia po kërkon të testojë Perëndimin
Rusia synon të testojë unitetin perëndimor, veçanërisht në lidhje me klauzolën e mbrojtjes kolektive të NATO-s, sipas Bruno Kahl, kreut të shërbimit sekret gjerman, BND.
Në një intervistë me radion Deutsche Welle, ai tha se Rusia po shqyrtonte testimin e besueshmërisë së Nenit 5 të NATO-s, i cili thotë se një sulm ndaj një aleati duhet të trajtohet si një sulm ndaj të gjithëve.
“Ne shpresojmë shumë se kjo nuk është e vërtetë dhe se ne nuk do të vihemi në pozitën e vështirë që të testohet. Megjithatë, ne duhet të supozojmë se Rusia dëshiron të na testojë, të vërë në provë unitetin e Perëndimit”, tha Kahl.
“Koha e një testi rus të klauzolës së mbrojtjes kolektive të NATO-s varet nga rrjedha e luftës në Ukrainë”, sipas Kahl.
“Nëse lufta përfundon më herët se 2029 ose 2030, kjo do t’i mundësonte Rusisë të përdorte burimet e saj teknike, materialet dhe personelin për të krijuar një kërcënim kundër Evropës më shpejt”, vuri në dukje ai.
“Është gjithashtu e mundur që një kërcënim konkret ose tentativë shantazhi nga Rusia kundër evropianëve mund të ndodhë më herët se sa ishte llogaritur më parë”, tha Kahl.
Kahl tha se Rusia parashikon një rend të ardhshëm botëror që i ngjan situatës në Evropë në fund të viteve 1990, me praninë mbrojtëse të NATO-s të shtyrë prapa dhe sferën e ndikimit të Rusisë që zgjerohet drejt Perëndimit – idealisht pa një prani amerikane në Evropë. /atsh/