
Ymeri: Gjasat që opozita ta formojë qeverinë e re janë të mëdha
Analisti Visar Ymeri ka bërë me dije se gjasat që opozita ta formojë qeverinë janë të mëdha.
Duke folur për skenarët e formimit të qeverisë së re, ai ka thënë se Kurti i ka gjasat më të vogla për ta formuar qeverinë e re.
Ymeri, thotë se asnjë prej partive të shumicës shqiptare nuk kanë gatishmëri të futen në një qeveri ku kryeministër do të ishte Kurti.
“Gjasat që të kemi qeveri të koalicionit të gjerë pa LV duket se janë të mëdha, nisur nga fakti që asnjë prej partive të shumicës shqiptare nuk kanë gatishmëri të futen në një qeveri ku kryeministri do të ishte Kurti. Pa këtë gatishmëri Kurti nuk ka mundësi të krijimit të qeverisë edhe nëse të gjithë deputetët e komuniteteve jo shumicë (pa Listën Serbe) shkojnë në koalicion me Kurtin. Atëherë mundësia që e ka Kurti është ta marrë në koalicion edhe Listën Serbe dhe kështu ta krijojë qeverinë. Ose një prej opsioneve me më pak mundësi do të thosha, është bashkimi i 3 deputetëve të Nismës në koalicionin e Kurtit. Edhe kjo qeveri do të ishte e mundur vetëm nëse të gjithë deputetët e komuniteteve jo shumicë plus Nenad Rashiq do ta përkrahnin koalicionin”, ka thënë Ymeri për gazetën “Blic”.
Ai ka treguar se opsionet që ia mundësojnë Kurtit formimin e shumicës parlamentare do të prodhonin qeveris jo stabile.
“Pra, secili opsion i Kurtit do të ishte një qeveri që mezi i ka 61 deputetë dhe kështu një qeveri tejet e brishtë. Në anën tjetër opsioni i PDK-LDK-AAK-NISMA dhe të tjerët ka mundësi t’i arrijë gjithsej 70 deputetë ose edhe më shumë, që do të paraqiste një qeveri shumë më stabile në numra. Por jo mjaftueshëm për vendimet e rëndësishme që kërkojnë 2/3’tat përfshi këtu zgjedhjen e presidentes/it”, është shprehur Ymeri.