Von der Leyen: Riarmatosja e Evropës bazohet në shpenzimet e çdo vendi anëtar

Von der Leyen: Riarmatosja e Evropës bazohet në shpenzimet e çdo vendi anëtar

Komisioni Evropian zbuloi të martën një plan për të “riarmatosur Evropën” që synon të mobilizojë afro 800 miliardë euro për mbrojtjen e saj, por edhe për të ofruar ndihmë “të menjëhershme” për Ukrainën pas ngrirjes së ndihmës amerikane.

“Evropa po përballet me një rrezik të qartë dhe të menjëhershëm në një shkallë që askush prej nesh nuk e ka përjetuar në jetën tonë”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në një letër drejtuar liderëve të 27 vendeve.

“E ardhmja e një Ukrainë të lirë dhe sovrane, e një Evrope të sigurt dhe të begatë, është në rrezik”, tha ajo në letrën, e cila paraqet një plan evropian me pesë pika.

”Ky projekt do të ndihmojë gjithashtu Ukrainën menjëherë”, shtoi ajo, pas vendimit të fuqishëm të presidentit amerikan Donald Trump për të ngrirë ndihmën ushtarake për Kievin.

Shtylla e parë e këtij plani, e quajtur riarmatosja e Evropës, bazohet në thelb në shpenzimet kombëtare në çdo shtet anëtar, të cilat Komisioni Evropian dëshiron t’i lehtësojë.

Von der Leyen konfirmoi kështu dëshirën e saj për të inkurajuar shtetet që të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen e tyre, pa u shqetësuar për respektimin e rregullave buxhetore që i detyrojnë ata të kufizojnë deficitin e tyre publik në 3% të PBB-së.

“Kjo do t’i lejojë vendet anëtare të rrisin ndjeshëm shpenzimet e tyre të mbrojtjes pa shkaktuar procedurën e deficitit të tepruar”, tha ajo, duke iu referuar një shume prej 650 miliardë eurosh gjatë katër viteve.

Shtylla e dytë parashikon vënien e rreth 150 miliardë euro kredi në dispozicion të 27 vendeve të BE-së për blerje armësh ose investime për të forcuar aftësitë e mbrojtjes në Evropë.

Këto fonde duhet të përdoren si prioritet për të investuar në fusha ku nevojat janë më urgjente, si mbrojtja kundërajrore, raketat, sistemet dron dhe antidron dhe sistemet e artilerisë.

Mungesa e kapaciteteve prodhuese në Evropë është gjithashtu një faktor i vonesës. Një shembull: Bashkimi Evropian ishte zotuar të furnizonte Ukrainën me një milion predha artilerie në vitin 2024, një qëllim i arritur më në fund, por me muaj vonesë.

Komisioni synon gjithashtu të përdorë fondet e ndihmës për rajonet më të pafavorizuara të BE-së, të ashtuquajturat fondet e kohezionit, për të financuar projektet e mbrojtjes.

Totali i këtyre fondeve për periudhën 2021-2027 është 392 miliardë euro, por Von der Leyen nuk specifikoi shumat që mund të jenë në dispozicion për investime në mbrojtje.

Presidentja e Komisionit Evropian synon gjithashtu të lehtësojë përdorimin e Bankës Evropiane të Investimeve (EIB) për financimin e projekteve të mbrojtjes. Banka aktualisht nuk është e autorizuar të financojë projekte të lidhura drejtpërdrejt me sektorin e mbrojtjes, por presidentja e saj Nadia Calvino ka bërë thirrje për zgjerimin e investimeve të pranueshme.

Një zyrtar evropian tha se kjo do të përfshijë projekte rreptësisht ushtarake.

Së fundi, Komisioni Evropian dëshiron të mobilizojë më tej sektorin privat për financimin e mbrojtjes në Evropë. Bankat hezitojnë të angazhohen në projekte investimi ushtarake, në mënyrë që të mos rrezikojnë vlerësimet e tyre nga agjencitë financiare. /atsh/

Share This