
Ndizen dritat në Prishtinën e Vjetër me rastin e muajit të Ramazanit
Në pjesën e Prishtinës së Vjetër në mënyrë simbolike janë ndezur dritat me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit.
Në këtë ceremoni siç ka njoftuar Bashkësia Islame e Kosovës morën pjesë edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, me bashkëpunëtorë, si dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
“Myftiu Tërnava tha se tashmë është bërë traditë që në fillim të Ramazanit të dekorohet një pjesë e Prishtinës, duke shprehur kështu edhe më shumë madhështinë e këtij muaji të bekuar. Ai me këtë rast falënderoi kryetarin Rama dhe familjen Hertica. Myftiu Tërnava me këtë rast uroi edhe një herë gjithë besimtarët myslimanë për ardhjen e muajit Ramazan, duke lutur Zotin që t’ua pranojë ibadetet dhe adhurimet gjatë këtij muaji”, thuhet në komunikatën e BIK-ut.
Ndërkaq kryetari Rama, tha se jemi duke punuar që ditëve në vazhdim të ndezim drita edhe në pjesë të tjera të Prishtinës, për ta bërë edhe më madhështor këtë muaj. Ai uroi gjithë besimtarët myslimanë për fillimin e Ramazanit, duke u uruar agjërim të lehtë dhe të pranuar.