
Veliaj nga paraburgimi: Zbulova një skandal të rëndë në sallën e gjyqit
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar nga paraburgimi, ku ndodhet në masën e sigurisë “Arrest me burg” me vendim të Gjykatës Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, pasi akuzohet nga prokuroria speciale SPAK për dy vepra penale.
Ky informacion, sipas tij, është përhapur nga mediat e Partisë Demokratike, duke krijuar një keqkuptim të rëndësishëm në opinionin publik.
“U informova se në të gjitha gjirizet mediatike të PD-së na ishte publikuar se në dosjen time prokurori kishte shkruajtur: “Erion Veliaj është “i dënuar”, me shënimin “sipas Çertifikatës Elektronike të gjendjes gjyqësore Nr. 5488 Prot., datë 23.01.2025 të gjeneruar nga hetuesi i Byrosë Kombëtare të Hetimeve, e cila gjendet në fashikullin 63””, ka shkruar ai.
Veliaj ka shpjeguar se në sallën e gjyqit ai ka kërkuar verifikim, dhe pasi ka deklaruar se është i padënuar, prokurori Ols Dado ka bërë një telefonatë për të konfirmuar këtë informacion. Megjithatë, ai ka theksuar se prokurori ka përpiqur të kalojë këtë gabim si një “lapsus”, të cilin Veliaj e konsideron të papranueshëm, veçanërisht në një dosje hetimore që mund të ketë pasoja për jetën e individëve.
Ai ka shprehur dyshime serioze për mënyrën e zhvillimit të hetimeve ndaj tij dhe bashkëshortes së tij, duke e cilësuar këtë “lapsus” si një ngjarje të dyshimtë që lë hije mbi procesin e hetimit dhe të drejtat e tij si qytetar. Veliaj ka nënvizuar se do t’i publikojë gabimet që ka gjetur në dosje për t’i bërë të njohura për publikun dhe ka ngritur pikëpyetje mbi motivet e prokurorit për të shpallur fajtor një individ pa pasur ende një gjykim të plotë.