Izraeli urdhëron ushtrinë të lejojë palestinezët të largohen nga Gaza

Izraeli urdhëron ushtrinë të lejojë palestinezët të largohen nga Gaza

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz urdhëroi sot ushtrinë të përgatitet për largime “vullnetare” nga Gaza, pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump propozoi largimin e palestinezëve nga territori.

Ideja e Trump shkaktoi zhurmë nga udhëheqësit në Lindjen e Mesme dhe më gjerë. Administrata e Trump duket se ka hequr dorë dje nga disa sugjerime.

Disa orë më vonë, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, tha se kishte udhëzuar ushtrinë të formulonte një plan që palestinezët të largoheshin nga Gaza, e cila është shkatërruar nga më shumë se një vit lufte.

“Kam udhëzuar IDF-në të përgatisi një plan për të mundësuar largimin vullnetar për banorët e Gazës”, tha Katz, duke shtuar se ata mund të shkonin në çdo vend që i pranonte ata.

Trump njoftoi propozimin e tij të martën në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, lideri i parë i huaj që e takoi atë në Shtëpinë e Bardhë që nga kthimi i tij në detyrë.

Kombet e Bashkuara paralajmëruan se çdo zhvendosje e detyruar e palestinezëve do të ishte e barabartë me spastrimin etnik.

Trump këmbënguli se “të gjithë e duan” planin, duke thënë se ai do të përfshinte marrjen e Gazës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, megjithëse ofroi pak detaje se si do të largoheshin më shumë se dy milionë palestinezë.

Administrata e tij më vonë u duk se u tërhoq nga propozimi – pasi sekretari i Shtetit Marco Rubio tha se çdo transferim i banorëve të Gazës do të ishte i përkohshëm, ndërsa Shtëpia e Bardhë hodhi poshtë çdo angazhim për dërgimin e trupave amerikane.

Presidenti amerikan tha sot se nuk do të nevojiteshin ushtarë amerikanë në Gazë si pjesë e planit.

“Asnjë ushtarë nga SHBA-ja nuk do të nevojitej! Stabiliteti për rajonin duhet të mbretërojë!!!” tha ai në platformën e tij “Truth Social”. /atsh/

Share This