Trump rifillon presionin maksimal ndaj Iranit

Trump rifillon presionin maksimal ndaj Iranit

Presidenti i SHBA Donald Trump, rifilloi dje fushatën e tij të “presionit maksimal” ndaj Iranit.

“Trump nënshkroi një memorandum presidencial për qeverinë e Republikës Islamike të Iranit, duke i mohuar Iranit të gjitha rrugët drejt një arme bërthamore dhe duke kundërshtuar ndikimin keqdashës të Iranit jashtë vendit”, deklaroi Shtëpia e Bardhë.

Gjatë nënshkrimit të memorandumit, Trump e përshkroi atë si shumë të ashpër dhe tha se ishte i hapur për një marrëveshje me Iranin, duke shprehur gatishmërinë për të biseduar me udhëheqësin iranian.

“Po e nënshkruaj, por nuk jam i lumtur ta bëj këtë gjë. Ama nuk kisha zgjidhje tjetër, sepse duhet të jemi të fortë dhe të vendosur”, tha ai.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike tha në dhjetor se Irani kishte filluar të rriste prodhimin e uraniumit që mund të përdorej në sasi më të mëdha për armët bërthamore.

Trump theksoi se ”me mua në pushtet, Irani nuk mund të ketë një armë bërthamore, është shumë e thjeshtë”.

Qeveria në Teheran ka mohuar se po punon për të blerë armë bërthamore.

Në të njëjtën kohë, Trump kërcënoi Iranin nëse vendi planifikonte një akt hakmarrjeje dhe përpiqej ta vriste atë.

“Po ta bënin këtë gjë, do të zhdukeshin. Ky do të ishte fundi”, tha ai.

Në mandatin e tij të parë si president, Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore me Iranin, vendosi sanksione ndaj vendit dhe e klasifikoi Korpusin e Rojave Revolucionare Islamike si një organizatë terroriste. /atsh/

Share This