
U jepet lamtumira e fundit tre të rinjve në Jabllanicë
Në Jabllanicë të Dushkajës me nderimet më të larta ju dha lamtumira e fundit tre të rinjve që humbën jetën tragjikisht pasditen e së shtunës.
Kjo është një prej ditëve më të rënda që i kemi përjetuar bashkë, tha Ardian Gjini në fjalën e tij gjatë ceremonisë së varrimit.
“Idealin, Ramën dhe Vetonin sot po i përcjellim në amshim. Këta tre engjëj do t’i kemi në zemër tanë jetën”, tha Gjini.
Ish-drejtori i shkollës ‘Dëshmorët e Kombit’, Hysen Brahimaj tha se Ideali, Rama e Vetoni ishin shembuj të nxënësve të përkushtuar e në sjellje shembullore.
Tre fëmijët humbën jetën të shtunën si pasojë e shembjes së një objekti në fshatin Jabllanicë të komunës së Gjakovës. /rtk/