Bayerni ndryshon strategji, ul pagat dhe do t’i mbështesë të rinjtë
Te Bayern Muncheni duket se po ndryshojnë strategji.
Nëse deri sot ishim mësuar ta shihnim klubin bavarez të ishte një prej skuadrave me potencialin më të madh financiar jo vetëm në Gjermani, por edhe në Evropë, tashmë duket se gjermanët kanë ndryshuar planin. Strategjia do të jetë e diktuar sigurisht edhe nga kriza financiare, që ka prekur edhe klubet më të mëdha të Evropës.
Revolucioni do të nisë nga pagat e futbollistëve, të cilat aktualisht kanë pësuar rritje nga 320 mln euro në 340 mln euro. Nuk do të ketë më lojtarë të mbipaguar, me bavarezët që do të synojnë t’i mbështesin lojtarët e rinj e të talentuar që kanë në gjirin e tyre. Kështu bordi i Bayernit duket i qartë në pozicionimin e tyre. Objektiv do të jetë rinovimi i Davies deri në 2030 e më pas zgjatja e kontratave dhe mbështetja te lojtarët e rinj si Pavloviq (20-vjeçar) dhe Bischlof (19-vjeçar). Me Thomas Mullerin që është në perëndimin e karrierës edhe senatorët e tjerë nuk duket se do të kenë më vend në projektin e së ardhmes te bavarezët.
Kështu Leon Goretzka duket se nuk do të rinovojë pas përfundimit të sezonit. E përditshmja gjermane “Sport Bild” bën me dije ditën e sotme se vendimi tashmë është marrë, pas takimit të drejtueseve më të lartë të klubit dhe agjentëve të mesfushorit.
Goretzka do të largohet me shumë gjasë menjëherë pas përfundimit të sezonit. Në këtë mënyrë do të niset të vihet në jetë projekti i Bayernit, për shfryrjen e buxhetit të klubit, dedikuar pagave tepër të larta, që aktualisht ka në klubin më të titulluar në Gjermani.