Zelenskiy: Negociatat për paqe pa ndikim, nëse nuk përfshihet Ukraina
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy u tha të shtunën gazetarëve se shpreson që Evropa dhe Shtetet e Bashkuara do të jenë të përfshira në bisedimet për t’i dhënë fund luftës së vendit të tij me Rusinë.
Në një konferencë të përbashkët për shtypin me Presidenten e Moldavisë fqinje, Maia Sandu, Zelenskiy tha se në mënyrë që negociatat të kenë ndikim domethënës, duhet që të jetë e përfshirë edhe Ukraina në diskutimet që mund të mbahen për dhënien fund të luftës.
“Për sa i përket formatit që do kenë bisedimet: Shpresoj vërtet që Ukraina të jetë e pranishme, Amerika, Evropa dhe Rusia”, tha Zelenskiy duke sqaruar se nuk është krijuar ende një kornizë.
“Po, do të dëshiroja shumë që Evropa të merrte pjesë, sepse ne do të jemi anëtarë të Bashkimit Evropian”, tha ai.
Zelenskiy tha se mendon se Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, mund t’i jepte fund luftës, por ai mund ta bënte këtë vetëm nëse përfshihet Ukraina në bisedime.
“Përndryshe nuk do të funksionojë. Sepse Rusia nuk dëshiron t’i japë fund luftës, ndërsa Ukraina dëshiron t’i japë fund”, tha ai.
Presidenti Trump premtoi gjatë fushatës se do t’i jepte fund luftës brenda 24 orëve nga marrja e detyrës, por ndihmësit e tij kanë thënë që atëherë se arritja e një marrëveshjeje mund të zgjasë me muaj.
Presidenti amerikan ka shprehur gatishmërinë për të folur me presidentin rus Vladimir Putin për përfundimin e luftës.
Të premten, Presidenti Putin tha se do të dëshironte të takohej me Presidentin Trump për të biseduar për Ukrainën. Ai përmendi si një pengesë për negociatat një dekret të vitit 2022 nga Presidenti ukrainas Zelenskiy që ndalonte bisedimet me Rusinë.
Në konferencën për shtyp, Zelenskiy tha se e mori këtë masë për t’ia ndaluar mundësinë zotit Putin të ngrinte kanale të tjera komunikimi me bashkëbiseduesit në Ukrainë. Zelenskiy tha se Rusia po përpiqej në mënyrë aktive ta bënte këtë, përpara se ai ta nënshkruante urdhrin. /VOA