PDK nis fushatën, Krasniqi: Ofrojmë plan konkret e realist

PDK nis fushatën, Krasniqi: Ofrojmë plan konkret e realist

Partia Demokratike e Kosovës e ka nisur zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet e përgjithshme, me tubimin e mbajtur në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi duke iu drejtuar të pranishmëve tha se kandidati i këtij subjekti politik për kryeministër, Bedri Hamza, ka aftësitë dhe përvojën që i duhet vendit.

“Sot qëndroj para jush për t’ju siguruar se ne ofrojmë një plan konkret, një program të detajuar dhe gjithëpërfshirës, realist dhe të realizueshëm, i cili do të përmirësojë cilësinë e jetës së qytetarëve tanë. Për ta bërë Kosovën më të fortë dhe për ta bërë Kosovën më të mirë. Kjo është arsyeja pse zgjodhëm Bedri Hamzën që të na prijë në këto zgjedhje, sepse Kosovës i duhen aftësitë, përvoja dhe personaliteti i Bedriut për të materializuar planin tonë transformues”, theksoi Krasniqi.

Kreu i PDK-së gjatë fjalimit theksoi se po aq sa është krenar me Bedri Hamzën dhe programin e tij, po aq mburret edhe me listën e kandidatëve për deputetë nga radhët e kësaj partie.

Ndërkaq, kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza është zotuar për rritje të pagave dhe pensioneve, zhvillim ekonomik, siguri energjetike, sigurime shëndetësore, arsim cilësor, si dhe kultivimin e raporteve të mira me aleatët.

“Vizioni për një Kosovë ma të mirë, ku secili qytetar përparon, nuk është një ëndërr. Është premtim. Një premtim për çdo familje, çdo të ri e të re, çdo të moshuar, që do të punoj pa u ndalur për t’ua përmirësuar mirëqenien në shtetin tonë. Po, Kosova mundet ma mirë”, tha Hamza, raporton rtk.

Share This