Zjarret në Los Anxhelos shkaktojnë 11 të vdekur, shpallet emergjencë shëndetësore për shkak të tymit
Zjarret që kanë shpërthyer në Los Anxhelos vazhdojnë të shkaktojnë shkatërrim të madh, me të paktën 11 të vdekur dhe 153,000 njerëz të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre nën urdhra evakuimi.
Shërbimet e emergjencës janë në gatishmëri të plotë dhe po përpiqen të kontrollojnë flakët që po rrezikojnë jetën dhe pasuritë e qytetarëve.
Autoritetet e shëndetit publik në Los Anxhelos kanë shpallur një emergjencë shëndetësore lokale pas përkeqësimit të cilësisë së ajrit, shkaktuar nga tymi dhe hiri nga zjarret. Erërat e forta dhe zjarret e shumta kanë degraduar ndjeshëm cilësinë e ajrit, duke sjellë rreziqe të menjëhershme dhe afatgjata për shëndetin e qytetarëve.
Për të parandaluar ndikimet e dëmshme, autoritetet i kanë këshilluar qytetarët të qëndrojnë brenda, të mbajnë dritaret dhe dyert të mbyllura dhe të përdorin kondicionerë për të filtruar ajrin.
Ata gjithashtu janë paralajmëruar të përdorin maska nëse është e nevojshme të dalin jashtë. Urdhri shëndetësor gjithashtu ndalon përdorimin e ventilatorëve elektrikë, si fryrëset e gjetheve, për të parandaluar shpërndarjen e hirit në ajër. /rtsh/