Kurti: Radoiçiq caktoi njerëz të afërt të tij për sulmet terroriste
Terrorizmi i sponsorizuar nga Serbia dhe përgjegjësia e shtetit serb për sulmet në Kosovë, ishte tema për të cilën kryeministri i vendit Albin Kurti doli në një konferencë për media në orët e pasdites.
Ai tha se sulmi me eksplozivë në kanalin e Ibër- Lepencit më 29 nëntor ku u dëmtua tërësisht kanali ka pasur për qëllim paralizimin e jetës ekonomike dhe energjetike në Republikën e Kosovës si dhe shkaktimin e trazirave që do të vinin si pasojë dhe ku do të rrezikohej siguria nacionale në Kosovë dhe do të provokohej situata në rajon.
“Refuzimi i Beogradit zyrtar për ta dorëzuar Milan Radoiçiqin, përgjegjësin kryesor për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 që ka pasur për qëllim okupimin e pjesës veriore të shtetit tonë ka qenë inkurajim i grupit terrorist që i prinë Radoiçiqi për të vazhduar me akte të tjera subversive, diverzive ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit shtetëror të Republikës sonë. Strehimi i i Radoiçiqit në Serbi, përkrahja që i ofron atij Beogradi zyrtarë me infrastrukturë për trajnim të grupit terrorist, autorizimi i përgjegjësive që i ka falur kreu i shtetit serb atij, edhe për kontrollin faktik e politik të serbëve të Kosovës nuk mund të quhet ndryshe përveçse koordinim i shtetit të Serbisë me Milan Radoiçiqin dhe grupin e tij terrorist për të zhvilluar matej luftën hibride kundër Republikës së Kosovës. Republika jonë ka shtrirë sovranitetin e sigurinë ne veri të vendit nëpërmjet kushtetutshmërisë e ligjshmërisë. Tashmë nuk mund të sfidohet përmes grupeve të modelit rus “Little green man” apo “Njerëzit e vegjël të gjelbër”, tha kreu i qeverisë, raporton RTKlive.
Megjithatë, sipas Kurtit politikat agresive të Serbisë nuk po ndalen me sulme të tjera terroriste, por të organizuara në grupe më të vogla dhe në forma më të fshehta.
“Që nga qershori i vitit 2024 kur edhe kanë filluar të shpërndahen posterë me fytyrën e presidentit serb me mbishkrime që “komandant suprem, ju presim”, gradualisht është përshkallëzuar situata në 4 komunat në veri përmes grupeve të vogla të lidhura direkt me Radoiçiqin. Sipas informacioneve që posedojnë institucionet e sigurisë në Kosovë Radoiçiq ka caktuar dy persona të afërt të tij për të realizuar sulme në veri përmes grupeve të tyre të cilët kanë marr pjesë edhe në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit dhe strehohen në Serbi, dhe këta dy persona janë Nemanja Radivojeviq me nofkën Gandi dhe Vladimir Radivojeviq me nofkën mami”, tha Kurti.