Rama: Kosova s’ka më asnjë arsye ta lidhë me Serbinë fatin europian të saj
Kryeministri Edi Rama deklaroi dje në fjalën e tij në mbledhjen e përbashkët të Kuvendeve të Shqipërisë dhe Kosovës, se Kosova e ka mundur me luftë Serbinë 25 vjet më parë dhe Kosova s’ka më asnjë arsye ta lidhë me Serbinë fatin europian të saj.
Rama ndau sot pjesë nga fjalimi i djeshëm në Prishtinë.
“Dëshira ime e zjarrtë e patregueshme dot me fjalë është që të mos jemi njëri në tryezën e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian kurse tjetri në listën e sanksioneve të Bashkimit Europian të cilat, meqë ra fjala, sot janë një absurditet absolut dhe së bashku me presidenten në Samitin me Bashkimin Europian dy ditë më parë, kemi këmbëngulur me forcë që ato masa të hiqen dhe kemi siguruar që të gjitha fondet e Bashkimit Europian që janë penguar të lëvrohen për shkak të atyre masave të mos digjen, por ne duhet të jemi dorë për dore, paqedashës dhe paqeruajtës për të bindur dora-dorës edhe skeptikët më të mëdhenj në Bashkimin Europian për absurditetin e rezervave të tyre ndaj njohjes së Kosovës, si shtet sovran, dhe në sytë e tyre barra e fajit për degradimin e dialogut europian të normalizimit duhet ti bjerë e gjitha vetëm Serbisë, po kurrsesi, nuk duhet të lejojmë që qoftë edhe një gram ti bjerë Kosovës”.
“Ne duam që Republika e Kosovës të njihet një orë e më parë nga të gjitha ato vende europiane, që sot e gjithë ditën ngurrojnë ta pranojnë realitetin e pakthyeshëm dhe të pandryshueshëm të pavarësisë së saj, përfshirë edhe nga vetë Serbia, të cilën Kosova e ka mundur me luftë këtu e 25 vjet më parë dhe s’ka më asnjë arsye për ta lidhur me të, në asnjë formë e mënyrë, fatin europian të saj”, tha Rama.
“Ne duam ta ndihmojmë me të gjitha sa kemi në dorë Kosovën në arritjen e objektivit historik aq thjesht e bukur të përcaktuar nga Ibrahim Rugova. Por mundësitë tona as mund të krahasohen me mundësitë e miqve dhe aleatëve tanë strategjikë dhe pezmatimi i tyre me Kosovën, na pengon të bëjmë sa do të donim e do të mundnim të bënim, në këtë kohë kur të gjitha yjet janë rreshtuar në favor të shqiptarëve, të shansit tonë historik si komb shqiptar për t’u bashkuar përmes dy shteteve tona me Europën”, u shpreh Rama. /atsh/