Çadraku në Gjykatën Speciale: Shumë dokumente që më janë prezantuar kanë siglën e MUP-it të Serbisë
Dëshmitari Halil Çadraku gjatë dëshmisë së tij në Hagë, ka thënë se shumë dokumente që i janë prezantuar atij e përmbajnë siglën e shërbimit serb-MUP.
“…në mesin e këtyre dokumenteve që më janë treguar mua, shumë dokumente kanë siglën e MUP-it të Serbisë”, ka thënë dëshmitari.
Një deklarim të tillë ai e ka bërë kur i është prezantuar një dokument për të cilin ka thënë se plotësimin që iu është bërë atij me shkrim dore nuk e kishte parë asnjëherë.
“Është e vërtetë se këtë dokument të plotësuar me shkrim dore poshtë, unë nuk e kam parë asnjëherë deri javën e kaluar kur mu është treguar nga prokuroria”, ka thënë Çardaku.
Dëshmitari ka thënë se nuk e kujton nënshkrimin e Tahir Sinanit, por që e ka lexuar në të njëjtin dokument se nënshkrimi i përket atij.
Për këtë dokument dëshmitari Çadraku ka thënë është e palogjikshme të ndodhë për shkak se të njëjtin dokument ai ia ka dhënë Tahir Sinanit më 18 gusht dhe tani po figuron edhe një i ngjashëm më 19 gusht 1999.
Ai ka thënë se ka dyshime për këtë dokument që mund të jetë edhe i falsifikuar.
“I kam thënë edhe prokurorit se vërtetë nuk ka kuptim, nuk ka kuptim kjo se një ditë më herët e kam shkruar të njëjtin artikull që ia kam dedikuar Tahir Sinanit, kurse një ditë më vonë të shkruaj të njëjtën gjë, ju lutëm unë nuk e di. Unë kërkojë edhe njëherë nga gjykata e nderuar… në mesin e këtyre dokumenteve që më janë treguar mua, shumë dokumente kanë siglën e MUP-it të Serbisë. Është e pak e palogjikshme. Unë jam arrestuar në vitin 2001 në Prizren, dokumentet kanë shkuar në Serbi dhe nga Serbia kanë ardhur këtu. Ky dokument mund të jetë edhe i falsifikuar edhe i plotësuar meqë janë të gjitha këto fotokopje. Por, mua ky dokument me duket i pa logjikshëm sepse të njëjtin e kam shkruar pa këtë plotësim me dorë një ditë më herët. Kështu që kam dyshime për këtë. Nuk e kujtoj dhe nuk di se çfarë të iu them”, ka thënë Çadraku.
Dëshmitari ka thënë se Kadri Veselin e kishte parë më 2 prill 1999, datë kjo që ishte përfundimtare për shërbimin e tij në Zbulim-Kundërzbulim.
“Edhe sot e mendoj që nga 1 apo 2 prilli (1999) , Kadri Veseli ka qenë… ndoshta ka qenë edhe jashtë vendit atje por ka qenë i emëruar drejtor i Shërbimit Informativ në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës që është pjesë civile e udhëheqjes”, ka thënë Çadraku.
Dëshmitari ka thënë se nuk ka pasur raste që ka hetuar persona të cilët janë cilësuar si bashkëpunëtor ose të kenë marrë masa ndaj tyre.
“E kam thënë. Ne nuk kemi qenë të interesuar për këtë pjesë të investigimit apo hetimit”, ka thënë ai.
Dëshmitari gjithashtu është pyetur se a është e vërtetë që ka pasur persona në territorin e tij që civilet ose ushtarët mendonin që përbënin rrezik.
Madje, dëshmitari ka thënë se nuk i ka kërkuar asnjëherë policisë ushtarake që të hetohen njerëz të dyshimtë.
“Nuk mbaj mend diçka konkretisht për këtë. Nuk me kujtohet ndonjë rast specifik. Me sa mbaj mend unë kurrë nuk i kam kërkuar Policisë ushtarake që të hetohen njerëzit e dyshimtë që jetonin jashtë trevave tona ku ishim ne”, është përgjigjur dëshmitari Çadraku.
Për Ferat Shalën dhe Ilmi Reçicën, dëshmitari ka thënë se i ka njohur pas luftës dhe se nuk e di se çfarë kanë bërë gjatë periudhës së luftës.
Ai ka thënë se ka dëgjuar që ata kanë qenë pjesë e G2-shëve në Zonën e Drenicës dhe atë të Nerodimës. /Betimi për Drejtësi