Hoxhaj: Kosova ka një qeveri të papërgjegjshme, vetëm me interesa elektorale, pa kurrfarë interesi shtetëror
Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka thënë se vendi ynë ka një qeveri të papërgjegjshme, e cila ka vetëm interesa elektoralë dhe kurrfarë interesi shtetëror.
Sipas Hoxhajt, kësaj qeverie i mungon vëmendja dhe vetëdija që ta kuptojë që presidenti në ardhje Trump nuk do të vazhdojë thjesht politikën e mëparshme.
“Në vend të keqpërdorimit të Ministrisë së Jashtme dhe Ambasadave për fushatë zgjedhore, Qeveria Kurti duhet ta vizitonte Uashingtonin, të kontaktonte administratën në formim të presidentit Trump dhe të prezantonte prioritetet e Kosovës, meqë Serbia jo vetëm gjatë fushatës zgjedhore në ShBA, por edhe këto ditë ka dërguar delegacione joformale drejt Nju-Jorkut, Florida-s dhe natyrisht në Uashington! Por kur vendi ka një qeveri të papërgjegjshme, e cila ka vetëm interesa elektoralë dhe kurrfarë interesi shtetëror, asaj i mungon vëmendja dhe vetëdija që ta kuptojë që presidenti Trump nuk do të vazhdojë thjesht politikën e mëparshme, ku ShBA vetëm do të mbështesë dialogun Kosovë-Serbi dhe Bashkimin Evropian, por mund të jetë e kundërta, ku BE-ja do të ishte vetëm fasilitator, ndërsa ShBA-ja do të zgjidhte çështjet kyçe në Ballkan, duke përfshirë normalizimin e plotë në mes të Kosovës-Serbisë! Së bashku me rikthimin e Trumpit është kyçe që të rikthehet edhe njohja e ndërsjellë në dialog si prioritet i Kosovës, dhe i ShBA-së”, ka shkruar Hoxhaj në “Facebook”.
Ai ka thënë se kur sot tema kryesore në ShBA është se kush çfarë pozite do të marrë në politikën e jashtme dhe pozitat e rëndësishme përgjegjëse për Evropën dhe Ballkanin, Qeveria Kurti është e humbur në një kohë dhe hapësirë për të ndërmarrë ndonjë hap, gjë që tregon se rivendosja e marrëdhënieve me administratën Trump dhe me ShBA-në është vetëm temë e PDK-së, por edhe e opozitës, që ndryshimi në Uashington të paraprihet edhe me ndryshimin që do të ndodhë në Prishtinë.