Çitaku: Raportet me ShBA-në varen edhe nga kush udhëheq institucionet e Kosovës
Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka thënë se marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) nuk varen vetëm nga kush është në Shtëpinë e Bardhë, por edhe kush i udhëheq institucionet e Kosovës.
Për këtë, ajo ka bërë thirrje që bartësit e institucioneve të Kosovës dhe eksponentët e lartë politik të kenë gjuhën shumë më të kalibruar, pas zgjedhjeve të fundit në ShBA ku Donald Trump është zgjedhur presidenti i 47-të i Amerikës.
Çitaku ka theksuar se institucionet e Kosovës duhet që të angazhohen fuqimisht në përforcimin e misionit diplomatik në Uashington, i cili sipas saj është lënë me dy-tre diplomatë.
Ajo ka shtuar se Kosova nuk duhet të lihet në harresë nga administrata Trump, por një gjë të tillë e quan të mundur “vetëm nëse Kosova është pro aktive dhe në Uashington imponohet si zgjidhje, jo si problem”. “Raportet mes Kosovës dhe ShBA-së nuk diktohen vetëm nga kush është në Shtëpinë e Bardhë, por edhe kush i udhëheq institucionet e Kosovës”, ka thënë Çitaku për “EO”.
Ajo është shprehur se raportet ndërmjet Kosovës dhe ShBA-së patën arritur një nivel që nuk është parë më herët.
“Në katër vitet e fundit në ShBA ka qenë Joe Biden, i cili deri në detaje është i familjarizuar me çështjen e Kosovës. Përkundër kësaj për shkak të sjelljes së papërgjegjshme të kryeministrit Kurti, të institucioneve të Kosovës, raportet mese Kosovës dhe ShBA-së patën mbërri një nivel të cilin nuk e kemi parë më herët. Pra, ne në Kosovë duhet të përqendrohemi në zgjedhjet tona që i kemi me 9 shkurt sepse natyra e raporteve të Kosovës jo vetëm me ShBA-të, por edhe me BE-në varet në masë të madhe edhe nga udhëheqësit e institucioneve të Kosovës”, ka thënë Çitaku.