BQK në takim për anëtarësim në SEPA, priten 55 milionë euro kursime vjetore

BQK në takim për anëtarësim në SEPA, priten 55 milionë euro kursime vjetore

Banka Qendrore e Kosovës ka realizuar një takim me Drejtorin e Përgjithshëm për Stabilitet Financiar, Shërbime Financiare dhe Tregjeve të Kapitalit në DG FISMA, John Berrigan, gjatë së cilit është diskutuar para-aplikimi i institucionit për anëtarësim në Zonën e Unike të Pagesave në Euro (SEPA), që u dorëzua më 14 tetor.

Diskutimet u përqendruan në reformat dhe përparimin e BQK-së në harmonizimin e legjislacionit me standardet e Bashkimit Evropian, përfshirë përgatitjen e ndryshimeve ligjore të nevojshme që mundësuan para-aplikimin për anëtarësim në SEPA.

“Takimi theksoi nevojën për miratimin përfundimtar të dy ligjeve kryesore – Ligjin për Bankat dhe Ligjin për Shërbimet e Pagesave – që do t’i lejojnë DG FISMA të ofrojë një vlerësim të plotë, me komentet dhe rekomandimet përkatëse gjatë kësaj faze fillestare. DG FISMA rikonfirmoi zotimin e saj për të trajtuar në mënyrë efikase Para-aplikimin, duke pritur pranimin e legjislacionit të miratuar përfundimisht  për të ofruar udhëzime të mëtejshme mbi hapat pasues që duhen ndjekur drejt anëtarësimit përfundimtar në SEPA”, thuhet në komunikatën e BQK-së.

Pas përfundimit të kësaj faze, procesi do të vazhdojë në Këshillin Evropian të Pagesave (EPC), ku një vendim përfundimtar për anëtarësimin e Kosovës në SEPA mund të pritet vitin e ardhshëm si pjesë e iniciativës më të gjerë të integrimit të Ballkanit Perëndimor.

Integrimi në SEPA pritet të sjellë përfitime të konsiderueshme ekonomike, duke përfshirë një kursim vjetor të vlerësuar rreth 55 milionë euro nga tarifat për transferet ndërkombëtare, raporton rtk.

Share This