IDF: Hezbollahu lëshoi sërish raketa nga Libani drejt Izraelit
Sipas ushtrisë izraelite, luftëtarët e lëvizjes militante islamike libaneze Hezbollah kanë lëshuar sot sërish një breshëri raketash në veri të Izraelit.
“Rreth 40 raketa u lëshuan nga Libani në territorin izraelit”, thanë Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF). Disa nga raketat u kapën, ndërsa të tjerat ranë në tokë.
Fillimisht nuk pati raportime për dëme apo viktima.
Ushtria më vonë tha se forcat ajrore kishin sulmuar 15 pika lëshimi raketash të Hezbollahut në Liban – që kishin shënjestruar civilët në Izraelin verior.
Gjatë natës, IDF bombardoi objektiva të shumta në Liban, duke përfshirë rreth kryeqytetit Bejrut.
Konflikti aktual midis Izraelit dhe Hezbollahut nisi një vit më parë, pasi Hezbollahu filloi të gjuante raketa në Izrael në mbështetje të grupit militant palestinez aleat Hamas.
Që atëherë, Hezbollahu dhe ushtria izraelite janë përfshirë në bombardime të mëdha – duke shkaktuar vdekjen e qindra personave, plagosjen e mijëra prej tyre dhe zhvendosjen e qindra mijëra banorëve, shumica prej tyre në Liban.
Trupat tokësore izraelite kanë pushtuar gjithashtu vendin fqinj. /ATSH/