Murati: Synim i yni është që secila familje të ketë një vend pune
Ministri i Financave, Punës e Transfereve, Hekuran Murati ka thënë se synim i tyre është që secilës familje t’i ofrohet një vend pune në mënyrë që familja të bëhet e vetëqëndrueshme financiarisht.
Murati tha se ekipet e tyre po vazhdojnë vizitat në terren tek familjet dhe janë duke bërë vlerësimin e gjendjes ekonomike edhe nga afër, për t’u siguruar që ajo përkon me gjendjen e deklaruar në institucione.
Ai ka treguar se në kuadër të zbatimit të Reformës së Skemës Sociale, nga ky muaj do të kenë grupin e parë që do të marrë pjesë në pilotim të reformës.
“Ekipet tona po vazhdojnë vizitat në terren tek familjet dhe janë duke bërë vlerësimin e gjendjes ekonomike edhe nga afër, për t’u siguruar që ajo përkon me gjendjen e deklaruar në institucione. Kjo reformë, e mbështetur edhe nga Banka Botërore, parasheh heqjen e kritereve diskriminuese, dhe njëkohësisht vendos mekanizmin që mbështet anëtarët e familjes të aftë për punë që të aktivizohen në tregun e punës. Pra synimi është që secilës familje t’i ofrohet një vend pune, dhe familja të bëhet e vetëqëndrueshme financiarisht”, ka shkruar ai, raporton rtk.
Shefi i financave të Kosovës tha se paralelisht me punën për këtë reformë, përmes masave të shumta mbështetëse gjatë tri viteve të shkuara, kanë ndihmuar krijimin e vendeve të reja të punës, dhe kjo siç thotë ai, ka rezultuar edhe në zvogëlim të numrit të familjeve përfituese nga Skema e Ndihmës Sociale.
“Vetëm nga masa Qeveria për Familjet, janë mbi 2 mijë të punësuar, shumica e të cilëve vijnë nga familje që kanë qenë përfitues të ndihmës sociale”, ka shkruar ai duke paraqitur edhe grafikonin me numrin e familjeve përfituese nga Skema e Asistencës Sociale.