Çitaku: Kurti ka qenë i dëmshëm për Kosovën si opozitar, e vazhdon të jetë edhe si kryeministër
Vlora Çitaku, nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, duke theksuar se ai ka qenë dhe mbetet i dëmshëm për shtetin e Kosovës.
Çitaku ka kujtuar veprimet e Kurtit si opozitar, duke thënë se ato çfarë ka bërë kanë qenë të dëmshme për proceset e rëndësishme të vendit.
“Kurti ka qenë i dëmshëm për Kosovën edhe si lider opozitar, ua kujtoj këtu dhunën dhe zhegitjen e proceseve të rëndësishme si rezultat i mjeteve parapolitike dhe joparlamentare. Fatkeqësisht, ai vazhdon të jetë i dëmshëm dhe pa rezultate edhe si kryeministër”, ka deklaruar Çitaku.
Ajo ka bërë një krahasim midis qeverisjes së PDK-së dhe asaj aktuale, duke theksuar arritjet gjatë viteve kur partia e saj ishte në pushtet.
Sipas Çitakut, PDK-ja e mori qeverisjen në një moment kyç për Kosovën, në prag të shpalljes së pavarësisë, kur vendi nuk kishte institucione dhe infrastrukturë.
“Kur e kemi marrë ne udhëheqjen e qeverisë në vitin 2007, në prag të shpalljes së pavarësisë, Kosova nuk ka qenë shtet, nuk ka pasur institucione, as infrastrukturë. Nga viti 2007 deri në vitin 2018, janë ndërtuar mbi 1 mijë e 883 kilometra rrugë, mbi 130 shkolla dhe buxheti ka arritur në rreth 700 milionë euro,” ka shtuar ajo në DebatPlus.