Sulmet në sistemin shëndetësor në Gaza, OKB akuza Izraelit për krime lufte
Një hetim i Kombeve të Bashkuara ka akuzuar Izraelin për kryerjen e një “politike të bashkërenduar” të shkatërrimit të sistemit të kujdesit shëndetësor në Gaza gjatë konfliktit të tij njëvjeçar me Hamasin.
Sipas OKB-së, veprimet e Izraelit në enklavën e rrethuar palestineze përbëjnë krime lufte të vrasjes dhe keqtrajtimit të qëllimshëm dhe krime kundër njerëzimit.
“Forcat izraelite të sigurisë kanë vrarë, arrestuar dhe torturuar qëllimisht personelin mjekësor dhe kanë vënë në shënjestër automjetet mjekësore në Gaza. Nga sulmet izraelite karburanti, ushqimi, uji, ilaçet dhe furnizimet mjekësore nuk arritën në spitale, ndërsa gjithashtu reduktuan në mënyrë drastike lejet për pacientët që të largoheshin nga territori për trajtim mjekësor”, thuhet në raportin e Komisionit të Pavarur Ndërkombëtar të Kërkimit të OKB-së për Territorin e Pushtuar Palestinez, duke përfshirë Jerusalemin Lindor dhe Izraelin.
Izraeli ka akuzuar në mënyrë të përsëritur Hamasin se vepron në dhe rreth objekteve të kujdesit shëndetësor në enklavën palestineze, duke i përdorur ato për operacione ushtarake, duke përfshirë si qendra komandimi, depo armësh dhe për të fshehur pengjet.
Izraeli ka publikuar pamjet që ata thonë se janë dëshmi e atyre operacioneve të Hamasit. Videot nuk ofrojnë prova përfundimtare dhe Hamasi i ka mohuar pretendimet.
Raporti akuzoi gjithashtu Hamasin dhe grupet e tjera militante palestineze për kryerjen e krimeve të luftës të “torturës, trajtimit çnjerëzor ose mizor, përdhunimit dhe dhunës seksuale” për trajtimin e tyre ndaj pengjeve izraelitë të mbajtur rob në Gaza. Ai hetoi gjithashtu “keqtrajtimin e institucionalizuar” të të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite.
Në një deklaratë që shoqëron raportin prej 24 faqesh, i cili nuk ka fuqinë e ligjit, ish-komisionerja e OKB-së për të Drejtat e Njeriut Navi Pillay tha se Izraeli “duhet të ndalojë menjëherë shkatërrimin e tij të paprecedentë” në Gaza.
“Fëmijët në veçanti kanë mbajtur peshën kryesore të këtyre sulmeve, duke vuajtur drejtpërdrejt dhe tërthorazi nga kolapsi i sistemit shëndetësor,” tha ajo.