Osmani: Si në Kosovë, forcat barbare do të dështojnë edhe në Ukrainë
Presidentja Vjosa Osmani ka vlerësuar se ashtu siç ka dështuar Serbia në Kosovë, Rusia do të dështojë në Ukrainë.
Në “Facebook”, Osmani ka shkruar për diskutimet që i ka bërë në Samitin Ukrainë-Evropë Juglindore në Dubrovnik, i cili është mbajtur të mërkurën.
“Agresori nuk duhet asnjëherë të shpërblehet me tokën e viktimës! Ashtu siç dështuan në Kosovë, Kroaci, Slloveni e Bosnje-Hercegovinë, forcat barbare do të dështojnë edhe në Ukrainë. Liria dhe demokracia gjithmonë do të triumfojnë”, ka shkruar ajo.
Sipas saj, në këtë samit ka theksuar se mësimet e së kaluarës na kujtojnë se akomodimi i agresorëve nuk sjell kurrë paqe të qëndrueshme.
“Dje, para liderëve të tjerë në Samitin Ukrainë-Evropë Juglindore në Dubrovnik, theksova se mësimet e së kaluarës na kujtojnë se akomodimi i agresorëve nuk sjellë kurrë paqe të qëndrueshme. Solidariteti ynë për popullin e Ukrainës është i rrënjosur thellë në vet përvojën e dhimbshme të popullit tonë. Prandaj, do të vazhdojmë të mbështesim të drejtën e popullit ukrainas për liri, për sovranitet dhe integritet territorial. Deri në fitore!”, ka shkruar presidentja, raporton rtk.