Ia vranë nënën, motrat dhe 20 anëtarë të familjes, Deliu-Kodra e prezanton të mbijetuarin e masakrës së Abrisë
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka postuar një fotografi me të mbijetuarin e masakrës së Abrisë, Albert Deliu, i cili ishte vetëm dy vjeç.
Ajo ka bërë me dije Albertit forcat serbe ia vranë nënë, motrat dhe 20 anëtarë tjerë të familjes.
Ajo në një postim në “Facebook”, ka treguar për ëndrrat e Alberit.
“Albert Deliu ishte vetëm dy vjeç atë mëngjes të trishtë të 26 shtatorit që u përgjak nga vrasja e nënës, motrave dhe 20 anëtarëve të tjerë të familjes, nga kriminelët serbë. Ishte shumë i vogël, por mbi krahët e njomë prej fëmije mbante peshën e rëndë të tragjedisë. Tashmë 26 vite më pas, i pjekur nga koha, nga e kaluara, nga sfidat, nga mungesat, por edhe nga ambiciet, synimet e ëndrrat, Alberti shquhet si testament i gjallë i qëndrueshmërisë, shpresës dhe dashurisë. Të tillë pata fatin ta njoh, si student në Fakultetin e Arteve, ku shquhej për përkushtimin, seriozitetin dhe modestinë”, ka shkruar ajo, duke tregua se sa herë e takon Albertin përfshihet nga emocionet e veçanta.
“Është e vështirë të ulesh me të pa u përfshier nga një valë emocionesh – një përzierje trishtimi për humbjen e patregueshme që mbart dhe admirimi për rrugën që ka zgjedhur. Pavarësisht gjithçkaje që ka duruar, optimizmi i tij është ngjitës dhe rrezatues. Në çdo fjalë që ai thotë, dëgjon jehonën e ëndrrave të parealizuara të familjes së tij, por edhe një vullnet sfidues për të jetuar për ta. Ai qesh jo veç për veten e tij, por edhe për motrat, jeta dhe ëndrrat e të cilave u prenë padrejtësisht në gjysmë. Çdo hap që ai hedh është një akt përkushtimi ndaj kujtimit të familjes – si premtim i heshtur për t’i bërë ata krenarë. Udhëtimi i Albertit është një himn fuqie, i mbajtur mbi krahët e shpresës, ashtu sikurse edhe fanella që kishte veshur sot, duke prekur butësisht zemrat e të gjithë atyre që kanë fatin ta njohin atë”, ka shkruar Deliu-Kodra.